Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe Kryeministri Edi Rama | Foto nga : LSA

Trekëndëshi i Diplomacisë Rajonale Bëhet Katërkëndësh

Pas zgjedhjeve të vitit 2013, qeveria shqiptare e kryeministrit Edi Rama argumentoi se Turqia do të ngrihej në nivelin e Italisë dhe Greqisë si partner strategjik i vendit, mbështetur kjo me supozimet për ngritjen e Turqisë si superfuqi rajonale në Ballkan.

Katër vjet më vonë, qeveria “Rama 2” deklaron në programin e saj qeverisës se prioriteti në marrëdhëniet e saj në rajon do të jetë “katërkëndor”, duke i shtuar Italisë, Greqisë dhe Turqisë, edhe marrëdhëniet me Austrinë.

Pragmatizmi në këto marrëdhënie është fryma udhëheqëse, sipas deklaratës mbi politikën e jashtme që gjendet brenda programit katërvjeçar të qeverisë të miratuar pas debateve në Kuvendin e Shqipërisë.

“Vizioni ynë për një Shqipëri të fortë dhe të besueshme mbështetet mbi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, si dhe mbi një pozicionim realist dhe dinamik brenda katërkëndëshit strategjik rajonal (Itali – Austri – Greqi – Turqi) ku artikulohen interesat kombëtare të Shqipërisë, si një vend i kyçur në Ballkan dhe i hapur në Mesdhe”, shkruhet në programin e qeverisë.

Nuk është e qartë se për çfarë arsyesh qeveria ka vendosur të shtojë Austrinë si prioritet të vetin në marrëdhëniet “strategjike rajonale”.

Që pas viteve 2000, Shqipëria ka pasur si politikë të jashtme zyrtare trajtim të barabartë të marrëdhënieve të saj me Italinë dhe me Greqinë. Italia ka qenë dhe mbetet partneri më i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar i Shqipërisë me një distancë të largët me Greqinë, vend që ka pasur pozicionin e investitorit të huaj më të madh dhe ka qenë destinacioni kryesor i emigrantëve shqiptarë.

Shtimi i Turqisë në listën e “partnerëve rajonalë strategjikë” në vitin 2013 erdhi pas zgjerimit të rolit të diplomacisë turke në rajonin e Ballkanit si dhe në Azinë Qendrore, Lindje të Mesme e Afrikë të njohur si “platforma e thellësisë strategjike“.

Nën udhëheqjen e Ahmet Davutoglu, në atë kohë Ministër i Jashtëm i Turqisë, Turqia zgjeroi ndikimin e vet përmes kombinimit të ndërmjetësimit për paqe, investimeve të huaja në sektorë strategjikë dhe ndikim kulturor përmes lidhjeve gjuhësore dhe fetare në vende të ndryshme të Ballkanit.

Qeveria shqiptare ka parë vazhdimisht nga Turqia për investime të huaja, ndërsa kryeministri Edi Rama ka shpresuar herë pas here te ndihma e presidentit turk Erdogan për ndërtimin e një aeroporti në Vlorë dhe një kompanie ajrore shqiptare. Por pavarësisht shpresave, asgjë nuk është formalizuar në këtë drejtim. Duke pranuar dështimin në drejtim të thithjes së investimeve të huaja, kryeministri Edi Rama kritikoi zyrtarët e Ministrisë së Jashtme në gusht, duke argumentuar se ambasadorët nuk kishin qenë në gjendje të krijonin kurrfarë interesi për investime në Shqipëri në vendet përkatëse.

Turqia është aktualisht investitori i katërt i huaj më i madh në Shqipëri pas Greqisë, Kanadasë, Italisë dhe Holandës. Turqia zë gjithashtu edhe 10 për qind të importeve dhe 1.2 për qind të eksporteve.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë kanë qenë të tensionuara që nga viti 2011, kur Greqia duket se përdori kërcënimin me bllokim të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian për të ekstraktuar koncesione nga Shqipëria në lidhje me përfitimin e një sipërfaqeje të shelfit kontinental më të madhe nga sa i takonte sipas rregullave ndërkombëtarë si dhe për ndërtimin e varrezave për ushtarët grekë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithëse qeveria e majtë që mori pushtetin më 2013 premtoi përmirësim të marrëdhënieve me Greqinë, situata vetëm sa u përkeqësua. Qeveria e kryeministrit Alexis Tsipras në Greqi, megjithëse i përket ekstremit të majtë si origjinë politike, ka vendosur në koalicionin qeverisës një parti nacionaliste të krahut të djathtë ndërsa qeveria shqiptare urdhëroi në mënyrë të pashpjegueshme shembjen e një kishe orthodokse në Dhërmi ndërsa hyri në telashe të mëtejshme kur vendosi të shembë përkundrejt shpërblimeve qesharake disa shtëpi në Dhërmi dhe Himarë, gjë që zemëroi Greqinë, e cila akuzon se Shqipëria po shkel të drejtat e minoritetit grek.

Austria, vendi i shtuar në listën e “partneriteteve strategjike rajonale” të qeverisë shqiptare, ka aktualisht një portofol investimesh prej rreth 360 milionë eurosh sipas shifrave më të fundit të disponueshme nga Banka e Shqipërisë, të cilat i përkasin vitit 2014. Roli i Austrisë në tregtinë e jashtme të Shqipërisë është mikroskopik. Në vitin 2016, Austria zuri 1.4 për qind të importeve dhe 0.5 për qind të eksporteve. Nuk është e qartë se për çfarë arsyeje, Austria është shtuar në listën e partneriteteve strategjike rajonale.

Programi i qeverisë për diplomacinë mbart edhe disa referenca gjeografike të paqarta. Programi premton se qeveria do të përpiqet të fuqizojë rolin e Shqipërisë në “hapësirën e Europës Adriatike”, pa shpjeguar se çfarë nënkuptohet me termin “Europë Adriatike”. Më pas, programi flet edhe për “dimensionin mesdhetar” në politikën e jashtme ndërsa i referohet Shqipërisë si një “vend i kyçur në Ballkan dhe i hapur në Mesdhe”.