Ilustrim

Tregtia Prin te Bizneset e Reja

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), deri në tremujorin e tretë të vitit 2015, në periudhën janar-shtator të vitit që shkoi  gjithsej janë regjistruar 2 mijë e 284 ndërmarrje.

Nga këto të dhëna vërehet një rritje prej 19% e ndërmarrjeve të reja krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit 2014. Mirëpo ka rënie për 8.2% të regjistrimit të ndërmarrjeve të reja në muajt korrik-shtator 2015, nëse këtë tremujor e karhasojmë me periudhën prill-qershor të vitit që lamë pas.

Agjencia e Statistikave në publikimin e saj ka nxjerrë edhe aktivitetet më të shpeshta të bizneseve të regjistruara nga janari deri në shtatorin e 2015-ës.

622 ndërmarrje të reja, ose 27.2 për qind e tyre sips ASK-së kanë zgjedhur të merren me zejen e tregtisë, 256 prej tyre, ose 11.2 për qind ofrojnë akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim, me prodhim merren 239 ndërmarrje të reja, ose 10.5 për qind e të regjistruarave në nëntë muajt e parë të 2015-ës.

208 ndërmarrje, ose 9.1 për qind e bizneseve të regjistruara merren me bujqësi, pylltari dhe peshkatari, 160, ose 7 për qind janë regjistruar si ndërmarrje ndërtimore, me veprimtari profesionale, shkencore dhe teknike merren 123 ndërmarrje, ose 5.4 për qind, me transport dhe ruajtje merren 108 ndërmarrje, ose 4.7 për qind.

Ndërmarrjet e reja që merren me aktivitete tjera, sipas ASK-së marrin pjesë me përqindje më të vogël në totalin e veprimtarive të zgjedhura nga kompanitë e regjistruara.

Publikimi i ASK-së tregon edhe numrin e të punësuarve të deklaruar nga ndërmarrjet e regjistruara vjet.

2 mijë e 232 ndërmarrje, ose 97.7 për qind  kanë të punësuar 1 deri në 4 punëtorë, 31 prej tyre, ose 1.4 për qind  kanë 5 deri 9 të punësuar, 16 ndërmarrje, ose 0.7 për qind kanë 10 deri 19 punëtorë, ndërsa vetëm 5 ndërmarrje, ose 0.2 për qind  kanë hyrë në grupin e atyre që punësojnë 20 deri 249 punëtorë.

Në muajt korrik-shtator të 2015-ës nuk është regjistruar asnjë ndërmarrje me mbi 250 punëtorë.

554 ndërmarrje, ose 24.3 për qind janë regjistruar në Prishtinë, 176 ose 7.7 për qind në Ferizaj, 169, ose 7.4 për qind në Prizren, 136 ose 6 për qind në Gjilan, 123, ose 5.4 për qind në Pejë, 109, ose 4.8 për qind në Mitrovicë, 105, ose 4.6 për qind në Gjakovë, ndërsa komunat tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara.

Ndërsa, gjatë vitit 2015 në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), janë regjistruar rreth 428 biznese me pronarë të huaj.