Tregtarët të Pakënaqur me Aksionin e Doganës

Tregtarët e veturave në tregun e Prishtinës nuk e kanë mirëpritur aksionin e Doganës dhe EULEX-it për kontrollin doganor të makinave që shiten të dielave.

KALLXO.com sjell pamjet e shitësve të pakënaqur, të cilët gjatë ditës shprehën pakënaqësinë me aksionin i cili nga Dogana u quajt si i ligjshëm.

Me gjithë kundërshtimin e pronarëve, Dogana ka konfiskuar 12 makina.

“Aksioni ka lidhje me verifikimin e automjeteve, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara, të padoganuara, etj. Deri më tani janë konfiskuar 12 vetura”, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci.

Shpejtim Rexhepi, njëri nga tregtarët, e ka quajtur aksionin e Doganës si plaçkitje të popullit.

“Kjo është turp ça jonë tu bo, se asnjë kerr që blihet ose shitet pa e pagu doganën me regjistru nuk mundesh. Po kjo është veç me plaçkit popullin dhe me prish sot tregun”, tha ai.

Ankesë nuk ka Ilmi Ilazi, i cili e kishte futur veturën në treg pa doganë. Ai vetëm pret që vetura t’i konfiskohet.

“Kerret që janë pa doganë po i nalin, po i dënojnë 500 euro dhe po i detyrojnë me ju pagu doganë. Kerrin hala e kom brenda, po tash e marrin se e kam pa doganë”, tha Ilazi.

Për dallim nga Ilazi, Albert Breznica, i cili e ka nxjerrë makinën në shitje me dokumentacion të rregullt, thotë se kjo është prishje e tregut.

“Qe nja dy-tri orë jemi tu pritë. Kjo Dogana e Kosovës e ka gjetë këtu tregun e veturave për me ardhë këtu me na plaçkit. Jam ardhë me shit kerrin. Këta nuk është dashtë me ardhë këtu me na prish tregun edhe neve që jemi në rregull” u shpreh ai.

Tregu i veturave në Prishtinë është ngjarje e cila mbahet çdo të diel.