"Tregu i gjelbër" i mbyllur në shenjë proteste - Foto: KALLXO.com
Tregtarët në Hall me Shitësit Ambulantë
Zenel Krasniqi është detyruar të premten të mbyllë dyert e hapësirës ku zhvillohet tregu për t’ua tërhequr vërejtjen institucioneve komunale të Pejës dhe Policisë se nuk po e zgjidhin problemin me të cilin po përballen qe sa kohë ai dhe qytetarët që e shfrytëzojnë pronën e tij për të shitur gjësende nga më të ndryshmet.
Krasniqi është ankuar në KALLXO.com se institucionet nuk po u krijojnë kushte elementare për punë.
Problemi kryesor i tij dhe i tregtarëve që zhvillojnë biznesin e tyre në “Tregun e Gjelbër” janë shitësit ambulantë dhe mbeturinat para dyerve të tregut.
“I tërë tregu është i bllokuar për shkak se pikësëpari para hyrjes janë me dhjetëra shitës ambulantë ilegalë që bllokojnë hyrjen dhe nuk përfillin asnjë kriter, por vetëm pengojnë bizneset tjera dhe lëvizjen te hyrja. Më e keqja është se e bllokuar mbetet e tërë rruga nga mbeturinat që krijohen dhe askush nuk merr masa. Disa herë kemi bërë kërkesa por asgjë”, thotë Zenel Krasniqi.
Krasniqi ka dërguar edhe foto në KALLXO.com, të cilat tregojnë gjendjen e cila krijohet para hyrjes së tregut.
Për këtë ai thotë t’i ketë lajmëruar edhe organet komunale dhe Policinë të cilat, sipas tij, ende nuk kanë reaguar si duhet.
“Ka kohë që ju kemi drejtuar Inspektoratit komunal dhe Policisë së Kosovës që të marrin masa për zhbllokimin e rrugës nga hyrja e tregut deri te rruga kryesore. Asgjë konkrete nuk ka deri më tani, vetëm premtime. Ne asgjë nuk kërkojmë vetëm rruga të zhbllokohet dhe mos të pengohen bizneset brenda tregut”, tha Krasniqi për KALLXO.com.
Për këtë ankohen edhe tregtarët që biznesin e ushtrojnë brenda hapësirës së tregut. Ata thonë se po dëmtohen.
Bujar Dervishaj në emër të bizneseve të tregut tha për KALLXO.com se e tërë kjo është si pasojë e neglizhencës së institucioneve.
“Sinqerisht ne si tregtarë të “Tregut të gjelbeër” në Pejë jemi në një situatë të palakmueshme. Ne pengohemi në biznesin tonë në hyrje të tregut nga shitësit ilegalë, të cilët po krijojnë ambient të papërshtatshëm edhe për klientë duke lenë mbeturina, të cilat po kundërmojnë. Të mos menaxhohen si duhet 150 metra nga Inspektorati i Komunës dhe Policia me të vërtetë është neglizhencë”, tha Dervishaj.
Ai tregoi se të premten në mbrëmje janë marrë vesh me inspektorët komunalë dhe Policinë që të hapen dyert e tregut pas premtimit nga këto institucione se të shtunën do të zhbllokohet rruga dhe se shitësit ilegalë do të hiqen nga aty.
“Prapë ka ndodhur e njëjta. Ndihemi të mashtruar”, tha ai për KALLXO.com.
Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, nuk e mohon se situata te tregu është komplekse. Ai tha për KALLXO.com se inspektorët bashkë me Policinë kanë qëndruar mbi pesë orë në terren për ta zgjidhur problemin.
“Situata aty është paksa komplekse sepse me shitës ilegalë ka problem në tërë Kosovën, jo vetën në Pejë. Inspektorët kanë qenë 5 orë dje me Policinë në terren dhe jemi munduar të bëjmë një zgjidhje të përkohshme. Ankuesit kanë të drejtë”, tha Dashi.
Ai ka shtuar se zhbllokimi i rrugës është më shumë përgjegjësi e Policisë se Kosovës, kurse për shitësit ilegalë (ambulantë) tha se shpejt do bëhet një zgjidhje.