Tre të Arrestuar Për të Zhdukurin në Suharekë

Tre persona me inicialet R. A, Sh. K, R. B, janë arrestuar pasi sipas zëdhënësit të policisë së rajonit të Prizrenit dyshohen për përfshirje në zhdukjen apo rrëmbimin e një personi.

Bastisjet në këto lokacione janë kryer me urdhër të gjykatës në vazhdimësi të rastit për një person të zhdukur apo të rrëmbyer.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha, tha se rasti i arrestimit lidhet me personin me inicialet A. B të zhdukur në Suharekë një muaj më parë.

“Është vazhdimësi e rastit që ka ndodhe më 06.10.2016, e bëhet fjalë për personin A.B.  person i zhdukur-rrëmbyer nga komuna e Suharekës, e që ka rezultuar me arrestimin e katër personave me dyshimin që mund të jenë të përfshirë në këtë rast duke u bazuar në punën hetimore të hetuesve rajonalë”, tha Berisha.

Gjatë bastisjeve në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit janë sekuestruar përkohësisht dy shtëpiza të kompjuterit dhe një USB në cilësinë e provave materiale.

Të arrestuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.

Me aktvendim te Prokurorit të Shtetit, personat e dyshuar janë ndaluar në mbajtje për 48 orë ndërsa rasti po vazhdon të hetohet nga policia.