Arrestim i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Tre të arrestuar, dy biznesmenë dhe një përmbaruese private

Një pronar i një kompanie të derivateve, një përmbaruese private dhe një menaxher i një kompanie janë arrestuar sot nga policia nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, legalizim i përmbajtjes së rreme dhe mashtrim.

Sipas njoftimit të policisë, përmbaruesja Rr.M., 39 vjeçare ka përpiluar urdhrin përmbarues të mbështetur në dokumente me përmbajtje të pavërtetë (faturë), e cila është paraqitur në gjykatë.

Ndërsa, i dyshuari M.A., 54 vjeçar ka përpiluar dokumente me përmbajtje të pavërtetë duke kërkuar nga Dogana e Kosovës kompensim për ,,ruajtjen’’ e derivateve të naftës.

I dyshuari A. M., 29 vjeçar, me qëllim që t’i ndihmojë të dyshuarit M. A. ka lidhur marrëveshje me përmbajtje të pavërtetë për ”ruajtjen’’ e derivateve në rezervarët e kompanisë së tij.

Policia ka njoftuar se i dyshuari M. A.,  në emër të “ruajtjes’’ së derivateve nga viti 2001 për Doganat e Kosovës, ka ushtruar padi në gjykatë, përmes se cilës ka kërkuar kompensim nga dogana në vlerë prej  14 milionë e 131 mijë e 529 euro në emër të ruajtjes së derivateve.

Tre të dyshuarve, me aktvendim të prokurorit u caktohet masa e ndalimit  prej 48 orësh.