Tre persona të prekur nga virusi Nil, nga komunat kërkohet dezinsektimi i hapësirave

Nga virusi i Nili Perëndimor në Kosovë deri më tash në Kosovë  janë prekur tre persona.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, drejtori i Institutit Kombëtar të  Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani.

“Aktualisht nga ky virus janë prekur 3 persona, prej të cilëve 1 ka ndërruar jetë, 1 është trajtuar dhe më pas është liruar në shtëpi, ndërsa 1 person është duke u trajtuar në Klinikën Infektive”, thuhet në përgjigjen e Ramadanit.

Ndërkaq, drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani, dje ka thënë për KALLXO.com se nuk dihet nëse personi i cili ka vdekur para dy ditësh ka qenë i prekur me këtë virus, pasi sipas tij, pacientja ka pasur probleme të tjera shëndetësore, në zemër dhe mushkëri.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka deklaruar se situata është nën kontroll dhe se nuk ka nevojë për panikë, megjithatë u kanë bërë apel qytetarëve për kujdes.

“Për t’u mbrojtur nga ky virus, nga qytetarët kërkohet që të kenë kujdes gjatë këtyre ditëve, ku vërehet një numër i shtuar i mushkonjave”, tha Ramadani për KALLXO.com.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet tek njerëzit kryesisht nëpërmjet pickimit të mushkonjave, të cilat janë të infektuara.

IKSHPK-ja u ka bërë thirrje departamenteve komunale të bëjnë dezinsektimin në hapësira sipas rekomandimeve të OBSH-së.