Foto: KALLXO.com

Trashëgimia Shpirtërore e Kosovës në Rrezik

Në kuadër të Javës së Albanologjisë, e cila ka filluar më 23 maj dhe e cila përfundon sot, është biseduar edhe për trashëgiminë shpirtërore, studimin, ruajtjen dhe promovimin e saj.

Drejtori i Institutit Albanologjik të Kosovës, Hysen Matoshi, tha se trashëgimia shpirtërore është e rëndësishme për çdo vend.

“Fatkeqësisht tek ne nuk ka një vetëdije shumë të avancuar për trashëgiminë shpirtërore e cila dita-ditës, me kalimin e brezave, shuhet dhe ne e shohim se po humbin disa vlera tonat tradicionale të cilat populli ynë i ka ruajtur me shekuj”, tha ai për KALLXO.com.

Ai tregoi se Instituti po ka vështirësi që ato vlera shpirtërore, të cilat i kanë në kaseta të vjetra, t’i digjitalizojë, çka edhe mundëson ruajtjen e tyre.

Mirëpo, sipas tij, është e rëndësishme që në Kosovë po diskutohet kjo çështje nga studiues të ndryshëm.

Referuesi Bashkim Lajqi, i cili u paraqit para folësve me temën “Përshëndetjet në traditën popullore”, tha për KALLXO.com se edhe mënyra bashkëkohore e jetesës po ndikon në shkatërrimin e kësaj trashëgimie dhe në zbehjen e saj.

“Edhe ne duhet të punojmë më shumë në këtë aspekt, ta mbrojmë, sepse kemi shumë vlera dhe kjo është e pakontestueshme mirëpo ne nuk bëjmë shumë për të ruajtur këto vlera pasi që jemi dëshmitarë të shkatërrimit të trashëgimisë në përgjithësi por edhe të asaj shpirtërore”, tha ai.

Ai kërkoi që jo vetëm institucionet por edhe qytetarët të fokusohen në ruajtjen e trashëgimisë në përgjithësi por edhe në atë shpirtërore.

Kurse sa i përket temës që prezantoi, ai tha se përshëndetjet kanë rëndësi pasiqë dallojnë nga vendet dhe janë bartëse edhe të emocioneve dhe të kulturës së një populli.

Gjatë kësaj jave është biseduar për gjuhësi, letërsi dhe folklor.

Dje është biseduar për etnologji kurse sot do të bisedohet për histori.

Si çdo vit tjetër, pas përfundimit, të gjitha materialet e nxjerra bëhen së bashku dhe botohen për publikun.

“Java e Albanologjisë” po mbahet për herë të shtatë  dhe ka arritur që të mbledhë 136 referues, të cilët do të diskutojnë për 125 tema të ndryshme.