Ilustrim

Transparency International: Kosova në regres në luftën ndaj korrupsionit

Kosovën e zhvendosin prapa në ranglistën botërore rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2018.

Kjo u bë e ditur sot gjatë konferencës për media të mbajtur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), degë e “Transparency International” – rrjetit global në luftën kundër korrupsionit, në të cilën u publikuan rezultatet e këtij indeksi.

Fjolla Uka nga KDI tha se indeksi shfrytëzon sistemin e vlerësimit prej 100 shkallësh në të cilin vlerësimi maksimal do të thotë ‘vend i pastër nga korrupsioni’ kurse vlerësimi prej zero pikë do të thotë ‘vend shumë i korruptuar’.

Uka tutje njoftoi se në nivel global, prej 180 vendeve që marrin pjesë në këtë vlerësim, Danimarka radhitet e para këtë vit me 88 pikë duke kaluar liderin e vjetëm Zelandën e Re i cili ka 87 pikë. Vendin e tretë e ndajnë Finlanda, Singapori, Suedia dhe Zvicra me 85 pikë.

Ndërkaq, Arben Kelmendi deklaroi se Kosova sivjet ka humbur dy pikë në sistemin e vlerësimit të CPI (nga 39 sa kishte më 2017 në 37 pikë) dhe si rrjedhojë ka rënë nga pozita e 85-të në atë të 93-të.

“Kosova me 37 pikë ende ndodhet nën mesataren globale prej 43 pikësh. Rangimi i dobët i Kosovës në Indeksin e sivjetmë i atribuohet kryesisht institucioneve të brishta të sundimit të ligjit, nivelit të lartë të mos ndëshkueshmërisë së rasteve të korrupsionit, mungesës së llogaridhënies së zyrtarëve publikë, transparencën e pamjaftueshme dhe ngushtimin e hapësirës për pjesëmarrje qytetare”, ka thënë Kelmendi.

Sipas KDI-së, kapja e shtetit përbën njërën prej pengesave kryesore në luftimin e korrupsionit dhe vendosjen e drejtësisë.

Gjithashtu KDI, vlerësoi se Kosova duhet të fokusohet urgjentisht në tre fusha në mënyrë që të shënojë përparim: Pavarësinë e sistemit të drejtësisë, Luftën kundër korrupsionit dhe në fushën e prokurimit publik.