Flora Brovina

Transkript: Krejt çka tha Flora Brovina pas intervistimit në Prokurori për fotografitë

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka dalë sot para gazetarëve pak momente pasi është intervistuar nga Prokuroria Speciale rreth dy fotografive të prezantuara dje, të cilat pretendonte se tregonin një grua shqiptare të Kosovës duke u dhunuar nga forcat serbe gjatë luftës, në vitin 1999.

Ajo sot e pranoi se fotot nuk janë autentike.

Më poshtë KALLXO.com po e publikon transkriptin e deklaratës së saj dhënë para gazetarëve:

“Ju thash se nënkryetarja e komisionit për persona të zhdukur që ka qenë në atë kohë ma ka dhënë. Këtë dokument e ruaj në mesin e shumë dokumenteve të tjera që nga viti 2003. Tash pas shumë kohësh të dal ky dokument që nuk është i vërtetë.. më vjen shumë keq, ju kërkoj falje të gjithë atyre dhe qëndroj edhe për fajësinë time që nuk e kam verifikuar në momentin e fundit. Me dy personat që e kam ndarë ngjarjen ka qenë se më është thënë që kjo ngjarje ka ndodhë diku në Dukagjin dhe ashtu më është thënë mua si kryetare e komisionit. Personi në fjalë që më ka thënë kështu ka qenë aktivist i të drejtave të njeriut dhe emrin nuk ja di sepse e kam harru dhe nënkryetarja e komisionit ka qenë Mevlude Saraçi, me të cilën kemi bashkëpunuar shumë ngushtë dhe kemi bërë shumë punë të mëdha në zbulimin e varreve masive në Batajnicë dhe Petro Vesello. Ajo ma ka pru zarfin dhe më ka thënë që kjo grua është 35 vjeçare. Ndërsa, personi me të cilin kam komunikuar me telefon unë e kam pyetur se a mund ta përdorë fotografinë, ai më tha, po, po e kam verifikimi. Unë thash se ideja.. ai nuk e ka ditë rastin (fjala është për Kadri Veselin), unë kam pasur shumë dokumente me vete dhe duhet të zgjedhja se cili dokument do ta paraqiste më së miri gjenocidin serb. Kam pasur shumë dëshmi, përveç të tjerash ka pasur edhe persona të dhunuara edhe dosje të tyre por nuk doja me i publiku. Jam në disponim për çdo gjë. Në cilësinë e dëshmitares dhe unë i kam tregu të gjitha. Jam ne disponim për çdo gjë, sepse përmbi mu është shteti im, liria e shtetit tim, e vërteta e tragjedisë së Kosovës, unë jam person i parëndësishëm, nuk është më rendësi”.