Foto: FFK

Trajnerët Kosovarë Presin Rezultat Pozitiv nga Shkodra

Në orën 20:45, Kosova do ta presë në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës islandezët, të cilët renditen të tretit në tabelë në grupin I.

Kjo është ndeshja e pestë e Kosovës në kualifikime, ku deri tash ka arritur vetëm një pikë.

Trajnerët e superligës së Kosovës besojnë në një rezultat pozitiv të Kosovës në ndeshjen e sotme.

Ismet Munishi, një nga trajnerët kosovarë, tha për KALLXO.com se Kosova ka një plus të madh me ardhjen e lojtarëve të rinj në ekip.

“Janë dy faktorë që janë në favor të Kosovës. Faktori i parë është që jemi përforcuar me disa lojtarë që kanë marrë leje të paraqiten për Kosovën dhe faktori i dytë është që selektori ynë e njeh më mirë Islandën, se sa që selektori i Islandës e njeh Kosovën. Këta janë faktorët në favorin tonë dhe unë pres që të marrim rezultat pozitiv”, tha trajneri i K.F Dritës për KALLXO.com

Ai nuk deshi të japë prognoza në lidhje me rezultatin e ndeshjes por shtoi se e rëndësishme për Kosovën është të mos humbet ndeshja.

Sipas tij, Kosova e ka të pamundur kualifikimin, por Kosovës i duhet të punojë në mënyrë që të ngritet sa më shumë në ranglistën e FIFA-së.

Ndërsa trajneri mitrovicas, Gani Sejdiu tha për KALLXO.com se sot pret një paraqitje ndryshe të Kosovës në krahasim me ndeshjet e kaluara.

Ai ka pas fjalë të mira për kombëtaren e Islandës, duke e cilësuar si një ekip shumë agresiv, taktik e teknik e që e ka dëshmuar në kampionatin e fundit evropian.

“Do të jetë takim shumë i vështirë. Por ajo çka më bën përshtypje është ekipi ynë që sot është më i fuqishëm se çka qenë, pasi që ka disa elemente që i kanë munguar deri tash, si Besart Berisha, Dionis Avdiaj etj. Kemi fuqi dhe cilësi që t’i dënojmë ata. Në repartin sulmues kemi lojtarë që në çdo moment mund të bëjnë diferencën. E nëse arrijmë që në fazën mbrojtëse, ku kemi çaluar pak, të jemi më të koordinuar, disiplinuar e me të organizuar, unë besoj që shumë lehtë se mund të dalim me një rezultat pozitiv”, tha trajneri Sejdiu për KALLXO.com.

Ai shpreson që Kosova të mos pësojë gol, ani pse thotë se është shumë vështirë. Megjithatë prognoza e tij për ndeshjen e sotme është 2 me 1 në favor të Kosovës.

Ndërsa trajneri tjetër kosovar, profesor Bylbyl Sokoli tha se Kosova ka mundësi të fitojë sot ndeshjen, ani pse Islanda në 5 vitet e fundit është treguar një ekip shumë i mirë.

“Islanda është një ekip shumë i disiplinuar, më një grup të lojtarëve shumë të mirë por kanë mungesë të lojtarëve. Nëse i krahasojmë cilësitë individuale, Kosova qëndron më mirë se Islanda, mirëpo ata 5 vitet e fundit e kanë dëshmuar që janë një ekip shumë i mirë. Kosova ka mundësi të arrijë një rezultat pozitiv por nuk do të jetë lehtë, por unë jam optimist”, tha Sokoli për KALLXO.com.

Ai e ka parashikuar ndeshjen duke thënë se mund të jetë 1 me 0 për Kosovën.

Ndërsa një prej futbollistëve më të mirë të Superligës së Kosovës, Mentor Zhdrella tha për KALLXO.com se pret një paraqitje të mirë për sot.

“Do të jetë një ndeshje shumë interesante. Mendoj që Kosova ka mësuar nga  gabimet e ndeshjeve të mëhershme. Unë besoj në një paraqitje sa më të mirë të përfaqësues së Kosovës. Sa i përket rezultatit mendoj që do të përfundojë 0-0”, tha Zhdrella për KALLXO.com.

Në kampionatin evropian që u zhvillua vitin e kaluar, Islanda arriti të shkojë deri në çerekfinale, ndërsa në 1/8 e finales kishte eliminuar një kombëtare shumë të fuqishme, Anglinë.

Në grupin I përveç Kosovës dhe Islandës, bëjnë pjesë edhe Kroacia, Turqia, Ukraina Finlanda.

Kosova deri më tani ka arkëtuar vetëm një pikë, ku në ndeshje e parë zyrtare kishte barazuar me Finlandën.

http://kallxo.com/kombetarja-e-kosoves-pergatitet-per-ndeshjen-islanden/