Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Kosova

Trajkoviq tregon a ka krizë humanitare në Veri

Ankesa lidhur me mungesë të mallrave në Veri sipas qeverisë së Kosovës janë pjesë e një skenari për ta paraqitur një krizë humanitare në Veri.

Kështu kishte paralajmëruar ditë më parë Kryeministri Ramush Haradinaj duke shtuar se skenari është zbuluar me anë të mekanizmave të sigurisë së Kosovës dhe ka për qellim destabilizimin.

Haradinaj madje kishte kërkuar nga ana e kryetarëve në veri të Mitrovicës dhe nga ana e qytetarëve që të mos bien pre e këtyre provokimeve.

Në lidhje me “katastrofën humanitare” ishte deklaruar edhe Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Ai ka shtuar se skenarë të tilla nuk do të lejohen.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Rada Trajkoviq politikane serbe nga Kosova e cila drejton një organizatë joqeveritare me bazë në Beograd e quajtur Lëvizja Evropiane për Serbët nga Kosova.

Trajkoviq ka thënë se kjo situatë në veri është krijuar si pasojë e tarifës 100 për qind të vendosur nga ana e Kosovës për produktet e Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës

“Kufizimet e mallrave që po shohim tani në veri janë pasojë e vërtetë dhe logjike e vendosjes së tarifës nga ana e Prishtinës. Kanalet alternative të furnizimit të tregut “gri” në Veri janë bllokuar, ndërsa tregtarët e ligjshëm në veri vazhdojnë të funksionojnë si pjesë e sistemit serb – që do të thotë se ata nuk janë të regjistruar si persona juridikë sipas ligjit të Kosovës”, tregon Trajkoviq për KALLXO.com.

Sipas saj, kjo situatë i ka futur tregtarët serb në veri të Kosovës në vakum mes dy sistemeve, atij serb dhe kosovar.

“Prandaj, tarifat i kanë zënë tregtarët serbë në veri të papërgatitur dhe i mbërthen ata në një vakum mes dy sistemeve. Kështu që unë besoj se ata janë duke u përballur me një luftë të vërtetë për të vazhduar tregtimin dhe për të mbajtur furnizimin e rregullt të mallrave”, shton ajo për KALLXO.com.

Trajkoviq madje e lidh këtë situatë me një skenar në mes të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe  homologut të tij, Aleksandar Vuçiq

“Fakti i çështjes është: me nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit, Vuqiq ka pranuar të integrojë plotësisht veriun në sistemin e Kosovës – dhe ky integrim duhet të përfshijë edhe kontrollet doganore. Një integrim i tillë, megjithatë, ende nuk është zbatuar plotësisht dhe Prishtina ka vendosur tarifën si një mekanizëm shtesë për të detyruar Vuçiqin të veprojë në përputhje[ me marrëveshjen]. Por Prishtina e ka lënë mënjanë faktin se ajo gjithashtu nuk ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes së Brukselit duke mos krijuar Asociacionin e Komunave Serbe (ASM) në tërë territorin e Kosovës. Kjo mungesë e pajtueshmërisë në të dyja anët ka hapur një hapësirë ​​për sfida të mëtejshme”, thotë tutje ajo.

Rada Trajkoviq, ka thënë edhe se vënia e masës së taksës nga ana e Kosovës i ka dhënë hapësirë Presidentit serb, Aleksandër Vuqiq që ta përdor si justifikim për gjendjen në veri.

“Në këtë kuptim, tarifa i ka konvenuar  në masë të madhe strategjisë politike të Vuçiqit, pasi ai tani po përdor tarifën si një justifikim për mospërputhjen në lidhje me Veriun, pa u detyruar formalisht të heq dorë nga ndonjë klauzolë e marrëveshjes së Brukselit”, tha ajo.

Trajkoviq, përmendi edhe çështjen territoriale.

“Kjo situatë hap një mundësi tjetër të rrezikshme për rregullimet territoriale, të cilat vazhdojnë të shtyhen përpara nga Vuçiq dhe Thaçi. Duket se Vuçiq dhe Thaçi kanë bërë marrëveshje të paqëndrueshme rreth ndarjes së Kosovës, të cilën tani po përpiqen të zbatojnë duke mos përmbushur detyrimet e tyre përkatëse nga marrëveshja e Brukselit. Ata tani po përpiqen të anashkalojnë dhe rishikojnë marrëveshjen e Brukselit – pa e anuluar zyrtarisht – duke vepruar në këtë hapësirë ​​të ndërmjetme të mos bindjes, gjë që na çon drejt ndarjes territoriale, paqëndrueshmërisë dhe skenarëve të tjerë të paparashikueshëm rajonalë”, thotë Trajkoviq për KALLXO.com.

Në lidhje me “krizën humanitare” në veri të Mitrovicës dhe veprimet që do t’i ndërmarrë Policia e Kosovës, KALLXO.com ka kontaktuar këta të fundit por deri në publikimin e këtij artikulli ata nuk kanë kthyer përgjigje.