Tragjedia në Gjakovë, dënim me 24 vjet burgim

 

Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur fajtor Pjetër Ndrecaj për vrasjen e dyfishtë, duke e dënuar me 23 vite për vrasje dhe 2 vite për armëmbajtje pa leje.

Gjykatësi Gëzim Pozhegu, tha se në këtë burgim do t`i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndërsa pala e dëmtuar u udhëzua në kontest civil.

KALLXO.com raportoi në detaje rreth aktakuzës ndaj tashmë të dënuarit Pjetër Ndrecaj.

Në katër faqe aktakuzë prokurorja Mene Syla pati sqaruar konfliktet e mëhershme në çiftit Ndrecaj të cilat mbrëmë përfunduan me dy vrasje.

KALLXO.com kishte arritur ta siguronte një kopje të aktakuzës së Prokurorisë së Gjakovës ku sqarohej e tërë historia e konfliktit në mes çiftit.

Konflikti në mes çiftit kishte eskaluar mbrëmjen e 10 majit 2018 kur Valbona Ndrecaj kishte denoncuar në polici se ishte rrahur nga bashkëshorti i saj Pjetër Ndrecaj.

Prokuroria kishte përshkruar në detaje se si Ndrecaj atë mbrëmje e kishte kapur për flokësh gruan e tij dhe e kishte goditur me boksa në kokë dhe në syrin e majtë.

Atë mbrëmje pas ankesës së viktimës Ndrecaj ishte prangosur për t`u mbajtur deri me 11 qershor në paraburgim.

Prokuroria sqaronte se konflikti në mes çiftit ishte inicuar nga një konflikt që njëri nga fëmijët e çiftit e kishte me fëmijët e vëllait të Ndrecajt.

Viktima në deklaratat e saj para policisë kishte përshkruar se djali i saj kishte gjetur 5 euro në rrugë, ndërsa djali i kunatit kishte pretenduar se ishin të tijat gjë që kishte quar në një konflikt në mes kunatave.

Siç përshkruhej në aktakuzë burri të nesërmen i kishte dhënë djalit të vëllait paratë.

Vendimi për t’ja kthyer paratë ishte pritur si ofendim nga viktima e cila ishte fjalosur me burrin e saj, fjalosje kjo e cila më pas kishte eskaluar në sulmin fizik. Në dëshminë e saj Valbona Ndrecaj kishte përmendur se disa herë me radhë ishte rrahur nga burri ndërsa kishte ankesa se kishte kryer edhe marrëdhënie seksuale pa pajtimin e saj. Një muaj para se të paraburgosej Ndrecaj çifti ishin pajtuar me një ndërmjetësues me premtimin se dhuna nuk do përsëritej.

40 vjeçari Ndrecaj mbrëmjen 7 gushtit qëlloi për vdekje ish gruan dhe vajzën 9 vjeçare.

KALLXO.com raportoi se brenda pesë orësh Policia e Kosovës nuk kishte arritur ta identifikonte vendndodhjen e njeriut i cili po e kërcënonte ish gruan e tij para se ta kryente aktin tragjik të vrasjes së gruas dhe vajzës.

Siç pati raportuar KALLXO.com në raportet zyrtare viktima ishte ankuar në ora 16:00 në  polici se po kërcënohej nga ish  bashkëshorti i saj.

Në një përgjigje zyrtare për KALLXO.com, Policia e Gjakovës kishte konfirmuar se ishte e njoftuar për kërcënimin por nuk kishte arritur ta identifikonte vendodhjen e dorasit.

“Në ora 16:00 viktima ka raportuar se është kanosur nga i dyshuari. Policia i janë përgjigjur rastit, kanë ndërmarrë veprimet operative duke e kërkuar të dyshuarin në shtëpinë e tij dhe në lokacione të ndryshme, është tentuar të kontaktohet edhe përmes telefonit por i njëjti nuk është paraqitur” pati thënë Lirie Podrimja zyrtare për informim në Policinë e Kosovës.

Ajo nuk kishte dhënë detaje pse shtëpia e viktimës nuk është vënë nënë mbikëqyrjen e policisë.

Të dhënat e siguruara nga KALLXO.com tregonin se çifti kishin probleme në të kaluarën.

Detajet për këtë ishin konfirmuar nga kryeprokurori i Gjakovës, Ali Selimaj.  Ai pati thënë për KALLXO.com se “Viktima është ankuar në polici për kërcënimin policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit dhe ka tentuar ta kontaktoj por ka qenë e pamundur.

Vet kryeprokurori i Gjakovës e kishte konfirmuar se dorasi ishte person i njohur për prokurorinë dhe ishte i njohur pasi ndaj tij kishte një procedurë penale.

Çifti Ndrecaj jetonin të ndarë prej disa muajsh dhe kishin pesë fëmijë, dy prej të cilëve jetonin me të atin dhe tre me nënën.

Viktima siç pati raportuar KALLXO.com ishte me prejardhje nga Tropoja, ndërsa jetonte që nga paslufta me familjen e saj në Gjakovë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast, shkrimet mund t`i gjeni duke klikuar në LINK.