Xhudistet e Medaljeve Kthehen në Shtëpi

Kryeministri, ministra dhe shumë tifozë pritën sot në aeroportin e Prishtinës dy xhudistet kosovare që sollën në Kosovë medaljen e artë dhe të bronztë nga Rusia.

Me fitoret e tyre, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova  bënë që në Rusi të ngritet flamuri shtetëror dhe të dëgjohet himni i Republikës së Kosovës e këtë thuhet se e inkurajoi edhe vetë kryeministri rus, Vladimir Putin.

“Mbretëreshat e xhudos”, prenë tortën me mbishkrimin “Krenaria e Kosovës” dhe më vonë vazhduan të përshëndeten me  tifozët që kishin ardhur nga anë të ndryshme të Kosovës.

torta

Kryeministri Isa Mustafa në pritjen e kampiones evropiane në xhudo e vlerësoi këtë fitore si dëshmi për nevojën e integrimit të qytetarëve të Kosovës në Evropë.

“Fitorja e tyre flet për vlera të veçanta të të rinjve tanë dhe sportistëve tanë, flet edhe për nevojën që Evropa të ketë këto vlera në gjiun e saj, që të pranojë qytetarët e Kosovës sa më shpejt që ata të lëvizin lirshëm në Bashkimin Evropian dhe të jenë pjesë e kulturës dhe sportit evropian,” tha Mustafa.

isa

Vetë kampionia Kelmendi e vlerësoi suksesin e saj si promovim të sportit kosovar dhe lobim për shtetin e Kosovës.

“Ne po vazhdojmë që të dëshmojmë që sporti është ambasadori më i mirë i shtetit tonë, shtetit të ri të Kosovës dhe më gëzon shumë fakti që sportin po e përcjellin tash të gjithë shqiptarët kudo që janë,” deklaroi Kelmendi.

Nora Gjakova garën në Kazan të Rusisë ku fitoi medaljen e bronztë e vlerësoi paraqitjen e saj më të mirë në karrierë.

Për sa i përket përfaqësimit të Kosovës me simbole shtetërore në Rusi, trajneri Driton Kuka deklaroi se Kryeministri rus Vladimir Putin ka qenë insistues në ngritjen e flamurit kosovar dhe nderimin e tij nga garda ruse.

“Vetë Vladimir Putin ka thënë që unë e kam dhënë ‘okay-in’, për t’u lejuar flamuri i Kosovës por Ministria e Punëve të Jashtme e ka ndaluar, por në momentin e fundit ka vendosur që të ndodhë dhe bile është zotuar, ka thënë: ‘Nëse nuk lejohet, do të vi vetë ta vendos flamurin në palestër’,” tha Kuka.

Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik falënderoi edhe Rusinë për lejimin e tejkalimit të barrierave politike. Sipas tij këtë mund ta bëjë sporti.

“Është momenti për të falënderuar edhe mirëkuptimin e organeve politike ruse sepse kanë mundur të vendosin ndryshe, kanë pasur mirëkuptim dhe edhe njëherë u dëshmua që sporti mund të tejkalojë barrierat politike,” tha Hasani.