Tomë Gashi: Me Qejf Apo me Zor, Azem Syla Duhet të Kthehet

Tomë Gashi, avokat i deputetit të PDK-së Azem Syla, thotë se klienti i tij duhet të kthehet sa më shpejt në Kosovë për të dalë para prokurorit dhe gjykatës për t’u përgjigjur ndaj dyshimeve për tjetërsim të pronës.

I ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë”, avokati Gashi tha se gjat ëditës së mërkurë, kur ka kontaktuar me Azem Sylën, ka marrë zotimin e tij se do të kthehet.

“Sa më shpejt të kthehet, aq më mirë për të. Ai ka thënë se do të kthehet sa më shpejt që është e mundur. Ai duhet të kthehet të bashkëpunojë dhe të bisedojë me prokurorë dhe gjyqtarë sepse ai po pretendon që shumë lehtë mundet të vërtetohet se ai nuk është i involvuar në këtë çështje. Mirëpo qoftë i involvuar apo jo, me qejf apo me zor ai duhet të dalë një ditë para prokurorit dhe gjyqtarit”, tha Gashi.

Për më tepër, Tomë Gashi thotë se nuk beson që “shqiptarët janë si (Pablo) Eskobari”, ndërsa shprehet se ka pasur edhe raste që klientët e tij i kanë ikur drejtësisë.

“Ata kanë ikur pasi janë dënu. Ka edhe klientë të mi që kanë ikë, por kanë qenë pas dënimit të plotfuqishëm. Të gjithë kanë ikur në mënyrë të ligjshme dhe janë kthyer kur janë vjetërsuar lëndët”, tha Gashi.