Vlerësimi i pronës | Foto: KALLXO.com

Tokat do të Klasifkohen për Tatimin në Pronë

Sipas Ministrisë së Financave dhe Agjensionit Suedez Tatimor në aspektin afatgjatë një vlerë zyrtare e llogaritur e tokës së bashku me të  dhënat e verifikuara të shitblerjeve do ta rrisin transparencën në tregun e pronave.

Ata gjithashtu bënë të ditur se vlerësimi i tokës për qëllime të tatimit në pronë mund të rezultojë në një treg më efikas kreditor.

Klasifikimi i parcelave do të bëhet në disa kategori të pronës ku hyjnë parcelat bujqësore, pyjore, rezidenciale, komerciale, industriale.

Avdullah Hoti, ministër i Financave, ka thënë se me këtë projekt po ndërmirret njëra ndër reformat më të mëdha.

“Është ndër reformat më të mëdha që po ndërmarrim. Është kriju momentum i ri për këtë. Fillimisht përmes mënyrave elektronike tani edhe me ekspozita”, ka thënë ministri i Financave Avdullah Hoti.

Ndërsa Ulf Mathiasson nga Agjensioni Suedez Tatimor ka thënë se është hera e parë që toka në Kosovë do të ketë vlerë zyrtare.

“Kjo është hera e parë që toka vlerësoet ose do të ketë vlerë zyrtare në Kosovë. Por në bashkëpunim me Agjencionin Kadastral Suedez, ne kemi kriju një proces që cilësia e këtyre të dhënave që i kemi të përmirësohet vit pas viti me marrjen e informatave të reja që ne i kemi”, ka thënë Mathiasson.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se me vlerësimin e pronës do të ketë edhe benefite të tjera.

“Qëllimi përfundimtar i këtij vlerësimi natyrisht është që të kemi  një tatim të drejtë. Por edhe të pasurit vlerë zyrtare ka benefite të tjera për ekonominë e Kosovës. Duke pasur një treg të pronës së tillë, nga kjo përfitojnë si blerësit ashtu edhe shitësit, sepse kemi të dhëna që janë tranparente transaksione që i bëjmë publike, në fakt gjithçka që kemi do të bëjmë publike”, ka shtuar Mathiasson.

Mathiasson po ashtu tha se kjo e bën më të lehtë dhe më të lirë marrjen e kredive në Bankën Qendrore dhe bankat private në Kosovë.

“Kjo e bën shumë më të lirë edhe shumë më të lehtë marrjen e kredive sidomos për njerzit që nuk kanë mundësi, nuk janë të pasur që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për mikrokredi për të shfrytëzu më mirë, apo për të bërë shfrytëzim produktiv të tokës së tyre apo pronës së tyre”, ka përfunduar Mathiasson.

Në Kosovë deri më tani vlerësimi është kryer vetëm për objekte.