TIrana
Tirana mirëpret 57 shtete në konferencën mesdhetare të OSBE-së
Tirana do të jetë nikoqire e 57 shteteve të ndryshme në fund të muajit tetor.
Konferenca Mesdhetare e OSBE-së me 57 shtete të ndryshme do të mbahet në Tiranë, ka njoftuar ushtruesi i detyrës ministri i Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj.
Ai përmes një shkrimi në Facebook ka njoftuar se Këshilli i Përhershëm i Ambasadorëve të OSBE-së ka vendosu që t’i jepet Shqipërisë e drejta për të organizuar këtë konferencë.
“Vendimi tashmë është marrë nga Këshilli i Përhershëm i Ambasadorëve të OSBE-së. Ky vendim edhe njëherë dëshmon punën madhore të Qeverisë dhe besimin e vendeve anëtare të OSBE-së për Shqipërinë”, ka shkruar Cakaj në Facebook.
Sipas tij, në fokus të kësaj konferencë do të jetë përvoja 25 vjeçare e partneritetit të OSBE-së me vendet e Mesdheut duke u ndalur në rëndësinë e dialogut në përballimin e sfidave të përbashkëta, por edhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim.
“Konferenca do të nënvizojë edhe rolin thelbësor të dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor në promovimin e sigurisë në zonën e OSBE-së në marrëdhënie me Partnerët Mesdhetarë”, ka shkruar tutje Cakaj.