Albin Kurti - Foto: Facebook
Tinka Kurti i Del Krah Albin Kurtit
Zyrtarja e Zyrës për Informim të Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, i ka dalë krah liderit të partisë, Albin Kurtit, në lidhje me “çështjen gjinore”.
Reagimi i Tinka Kurtit vjen pas debatit që shpërtheu pas dyshimeve të ngritura nga i pari i partisë për ngacmime në baza gjinore ndaj vajzave e grave në VV.
“Kemi rastin ku vjen një vajzë në Vetëvendosje, vjen një herë, vjen dy herë, aty ka disa burra që ju lshojnë fjalë, edhe nuk vijnë më”, ka thënë Kurti gjatë një interviste për emisionin “Jeta në Kosovë” e cila e plotë transmetohet sonte në orën 20:20 në RTK.
Kjo deklaratë e Albin Kurtit nxiti reagimin e një aktivisteje të Vetëvendosjes, Teuta Rrusta, e cila në një konferencë për media tha se është e rëndësishme që Kurti të flasë me emra.
“Është tepër problem me e hedhë një temë të tillë veç në ajër. E kam problem që Z. Kurti nëse ka pasë kritika të tilla, nuk i ka përmendë më herët por është duke i thënë tash dhe kam arsye të plotë me besu që është duke u përdorë përsëri çështja e gruas për qëllime politike. Është e papranueshme”, tha Rrusta, duke mos e mohuar mundësinë e ngacmimeve në baza gjinore.
http://kallxo.com/teuta-rrusta-albin-kurti-te-mos-sillet-si-babe-ndaj-vajzave-e-grave-ne-vv/
Por, pas kësaj deklarate të Teuta Rrustës ka reaguar Tinka Kurti.
Në një postim në “Facebook”, Tinka Kurti tha se gratë e vajzat po flasin dhe se vetëm pasi ato kanë folur dhe kanë insistuar të ngritet kjo çështe, ka folur edhe Albin Kurti.
“Asnjëra nuk ka iluzione se çështjen e grave ka me e zgjidh Albini. Jo, na vetë e bëjmë luftën. Ama kjo luftë duhet me u njoftë dhe atë prej niveleve më të larta. Pjesën “çështja gjinore” në platformën e Albinit e kanë shkru vajzat aktiviste dhe kanë kërku që me qenë pjesë e platformës. Albinit i takon merita që e ka prioritizu dhe e ka vendos lartë këtë. Ai ka folë edhe më herët për këto punë dhe nuk është e rastësishme që pas kushedi sa ankesave, vetëm tani po dëgjohen seriozisht këto thirrje”, ka shkruar ajo.