Time Kadrijaj (në të majtë), Ramush Haradinaj dhe një tjetër bashkëluftëtare në kohën e luftës - Foto: Facebook/Time Kadrijaj

Time Kadrijaj intervistohet nga Gjykata Speciale më 18 shtator

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Time Kadrijaj do të intervistohet nga Gjykata Speciale me 18 shtator.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në faceook, deputeti nga radhët e AAK-së, Shkumbin Demaliaj.

“Padrejtësitë po na përcjellin vazhdimisht. Gjykata speciale po sulmon vlerat sublime të UÇK-së duke mos kursyer edhe motrat tona që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën çlirimtare. Doktoresha Time Kadriaj me 18 shtator është ftuar që të intervistohet para kësaj gjykate. Bashkëluftëtarja jonë Time Kadrijaj ashtu siç ishte në luftë ballëlartë edhe tani do të dalë ballëhapur në mbrojtje të UÇK-së”, ka shkruar Demaliaj.

Me datën 2 gusht, Kadrijaj përmes një postimi në facebook kishte njoftuar se është kontaktuar nga Gjykata Speciale.

Ajo në një postim në rrjetet sociale kishte shkruar se nuk është aspak e mërzitur, sepse lufta e UÇK-së ka qenë e pastër.

“Megjithëse ende jo zyrtarisht, sot jam kontaktuar me telefon nga Gjykata Speciale dhe jam njoftuar se ftesën do ta marr edhe zyrtarisht për tu intervistuar gjatë muajit shtator! Nuk jam aspak e mërzitur për pasojat ligjore, sepse lufta jonë ka qene e pastër si loti dhe kjo do të dëshmohet prapë, por jam e shqetësuar për ftesat e njëpasnjëshme të kësaj Gjykate, të cilat për bazë kanë vetëm pretendimet politike të Serbisë dhe ta merr mendja që po kanë edhe pasoja politike, për Kosovën, e cila me fund ka filluar të flasë me zërin e vet! Jam e bindur se edhe kjo sfidë do të përballohet me dinjitet dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të mbetet e shenjtë, siç edhe ka qenë”, kishte shkruar Kadrijaj.

Time Kadrijaj: Jam kontaktuar nga Gjykata Speciale