Thyerja e Jugosllavisë në Demonstratat e 81-ës

Sot organizatorët e atyre demonstratave ndihen të lumtur me Kosovën shtet.

Kadri Kryeziu, njëri nga grupi i ish të burgosurve politikë kujtoi periudhën e para tri dekadave e gjysmë.

“Është përvjetori i demonstratave, 35 vjet më 11 mars. Ne jemi organizatorët, një prej organizatorëve të këtyre demonstratave. Filluam atëherë dhe vazhduam punën e ‘68shit. Ishim studentë dhe vazhduam që Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur dhe gjithë populli i Kosovës u sakrifikua për këtë ditë. Jemi sot të lumtur që e kemi shtetin tonë, institucionet tona, ushtrinë tonë,” tha Kryeziu.

Kryetari Veseli tha se pa këtë sakrificë sot nuk do të ishte as shteti i Kosovës.

“35 vjet ma herët në Qendrën e Studentëve janë thy disa pjata, u thy Jugosllavia përfundimisht. Ajo është pranvera më e madhe e kombit tonë, e cila pastaj 18 vjet më vonë kurorëzoi me pranverën tjetër, çlirimit të Kosovës,” tha Veseli.

Demonstrata e 11 marsit të vitit 1981 nisi si një revoltë për ushqimin e studentëve në mensë, për t’u kthyer pastaj në demonstratë me kërkesa politike.

Kadri Veseli falënderoi simbolin e rezistencës kombëtare Adem Demaçin, familjet e të gjithë të burgosurve politikë nëpër vite, duke u shprehur “falenderues përjetë”.

“I falënderoj gjeneratat pastaj menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore të cilët kanë pësuar në burgjet e famëkeqes jugosllave, në të njëjtën kohë gjeneratat e  fuqishme të lirisë së ’68-ës të cilët i kemi këtu, për të ardhur te kjo gjeneratë e shenjtë e vitit 1981 … për të vazhduar pastaj deri në çlirimin e Kosovës, për arsye se të burgosurit nuk janë ndalur as vitet e 90-ta,” tha Veseli. [interaction id=”56e2c63d251215382ec0eb57″]