Ilir Bajri lexon përralla | Foto: KALLXO.com

Thirrje për Shkollim në Ditën e Fëmijëve

Organizata “Zëri Rom, Ashkali dhe Egjiptas” në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve iu bashkua aktiviteteve të sotme “Prishtina Lexon”.

Përfaqësuesi i kësaj organizate Orhan Butiq, tha se janë bërë pjesë e këtyre organizimeve pasi që ato lidhen me qëllim e tyre që është shkollimi dhe emancipimi i fëmijëve.

“Kampanja ka për qëllim që me i vetëdijesu prindërit e këtyre komuniteteve që të regjistrojnë fëmijët në shkolla të rregullta si dhe me vazhdu shkollimin fillor dhe të mesëm,” sqaroi ai.

Ai kërkoi përkrahje dhe nga udhëheqja e vendit për arsimim të fëmijëve.

“Ne dëshirojmë që t’u japim edhe një mesazh institucioneve që të kenë një fokus më të madh te fëmijët e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptas, sepse u nevojitet një mbështetje më e madhe,” tha ai.

Aktivitetet e “Prishtina Lexon” i hapi nënkryetari i Komunës së Prishtinës Dardan Sejdiu

“Leximi si temë dhe libri si mjet i marrjes së dijes nuk është që e kemi të instaluar ende në të gjitha nivelet e shoqërisë tonë në të gjitha poret e shoqërisë tonë,” tha ai.

Edhe kompozitori dhe muzikanti Ilir Bajri që u lexoi përralla fëmijëve nuk ishte i sigurt nëse fëmijëve në Kosovë është duke iu dhënë edukim dhe motivim i duhur.

“Duhet me diskutu a jemi duke ju dhënë gjeneratave të reja edukim dhe motivim të shëndoshë dhe të dobishëm për jetën e tyre, sepse unë jam i bindur se deri tani nuk kemi qenë të suksesshëm në këtë drejtim dhe ngjarjet e tilla si kjo sot mund ta përmirësojnë këtë,” tha Bajri.

Ai tha se është e rëndësishme që të diskutohet si është kualiteti i mësimit dhe jo vetëm se sa po lexojnë fëmijët.

Vitin e kaluar në të njëjtin aktivitet përralla fëmijëve u lexoi kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.

http://kallxo.com/prishtina-lexon-ne-kerkim-te-perralles-me-te-bukur/

Përveç që lexuan dhe dëgjuan përralla që u lexuan për ta, fëmijët në kuadër të organizmit “Dhëmbët të Shëndoshë, Fëmijë të lumtur” përfituan këshilla mjekësore, kontrolle të dhëmbëve dhe brusha për pastrim e tyre.

Në kuadër të këtij aktiviteti, Organizata për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS“, në bashkëpunim me Komitetin Ndërministror të Programit ”Shkollat Promovuese të Shëndetit” shpërndanë 1 mijë brusha me pastë dhëmbësh për fëmijët.

brushat

Gjithashtu fëmijët patën mundësi që të përformojnë valle të ndryshme, të këndojnë dhe të recitojnë.

vallezimi

Konferenca Botërore për mirëqenien e fëmijëve në Gjenevë, Zvicër, shpalli 1 Qershorin si Ditë Ndërkombëtare të Fëmijëve më 1925.