Thirrje për Protestë të Qetë dhe ‘Ruajtje të Imazhit’

Deputetët e koalicionit qeveritar në Kosovë vlerësojnë se vendi ka arritur progres në këto tetë vjet të jetës si shtet i pavarur.

Në ditën kur vendi feston Ditën e Pavarësisë dhe kur opozita po proteston në sheshin e Prishtinës në kërkim të dorëheqjes së qeverisë, deputetë të PDK-së dhe LDK-së bënë thirrje për protestë të qetë.

Besa Gaxherri deputete nga radhët e LDK-së, si dhe Zenun Pajaziti nga radhët e PDK-së, thonë se vendi ka të arritura të mëdha për këto 8 vite, duke u nisur nga nënshkrimi i MSA-së vitin e kaluar.

“Për këtë ditë, kanë të drejtë të gjithë të festojnë dhe të gëzohen”, tha Besa Gaxherri.

Njëjtë mendojnë edhe Gëzim Kelmendi nga Partia e Drejtësisë, si dhe Kujtim Paqaku nga partia 6+.

Por, mbajtja e protestës së thirrur nga opozita e cila është e përbëhet nga tri parti, Vetëvendosje, Nisma dhe AAK-ja, po shihet me dyshime nga këta deputetë.

Lutja më e madhe që ata sot kanë, është që protesta të shkojë pa dhunë dhe e qetë.

Ndërsa Gëzim Kelmendi, tha se keqardhja më e madhe është, se kjo festë Kosovën e ka zënë  në një krizë politike, dhe përçarje në mes deputetësh.

“Kjo është e rëndë për shtetin e ri të Kosovës, sidomos për imazhin e Kosovës në sytë e ndërkombëtarëve”, tha Kelmendi.

Ai tha se përkundër kërkesave të opozitës, e pa pranueshme është dhuna  e protestave ndaj Policisë dhe ndaj Institucioneve.

Ndërsa Kujtim Paqaku, deputet nga  partia 6+, tha se për komunitetin rom, kjo është një ditë feste dhe gëzimi.

A do të ketë efekt protesta në zhvillimin politik në vend?

Besa Gaxherri tha se qeveria nuk u trembet protestave, pavarësisht sa mund të jetë masiviteti i tyre.

“500 mijë nëse dalin, qeveria nuk frikësohet, as këtu dhe as në ndonjë shtet tjetër demokratikë nuk mundet me u rrëzu qeveria me revolucion, kësaj duhet me i vë pikë”, tha ajo.

“Ne jemi shtet  i vogël me probleme të mëdha, ne nuk guxojmë me u impliku në protestat e partive politike, cilat do qofshin ato”, tha Gaxherri.

Ajo tha se tash Kosova ka institucionet e saj dhe ka ligjet e saj, të cilat duhen të respektohen.

“Nuk mundemi me ja bo qefin kurdo që i teket dikujt, me e rrëzu qeverinë ose me e  bo një qeveri çfarë të donë, sepse ka rregulla”, tha ajo.

Për Zenun Pajazitin, një protestë e tillë  në ditë feste nuk është fundi i botës, por që sipas tij, ajo që sot nuk guxon të ndodhë është dhuna.

“Nuk duhet të prishet jo vetëm imazhi i festës, por me dhunë  prishet imazhi i Kosovës, dhe kjo nuk i bën mirë askujt”, tha Pajaziti.

Por për Pajazitin, kërkesa e opozitës për dorëheqjen e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme është e parakoshme.

“Do të vijë  radha edhe e këtij procesi ku secili do të dalë para qytetarëve me gjithçka që ka bërë, por nuk do të lejohet që përmes dhunës të shënohet rendi demokratik dhe të ndryshoheshin pushtetet”, tha Pajaziti.

Edhe Kujtim Paqaku, ka lutje që mos të përdoret dhuna në protestë, pasi që këto lloje protestave, sipas tij, po ndikojnë negativisht edhe tek komuniteti rom.

“Komuniteti rom është mësuar të jetojnë në qetësi dhe në harmoni, pa tollovi të mëdha”, tha ai.

Ai tha se, thirrja për dorëheqje nuk është zgjidhje,  dhe zgjidhja e vetme për dalje nga kriza  është dialogu dhe bisedimet në kuvend.

Zgjedhja e Presidentit nuk ndikohet nga protesta

Protesta e sotme vjen në një kohë kur vendi është në përgatitje për ta zgjedhur Presidentin e ri.

Meqë mandati i Presidentes aktuale Atifete Jahjaga skadon në prill, Kuvendi duhet ta zgjedhë presidentin e ri më së largu në javën e parë të marsit.

“Protestat që bëhen duhet të jenë të ndara dhe pa dhunë, ndërsa brenda institucioneve duhet të shkojnë të gjithë ata që janë të zgjedhur nga populli dhe nga qytetarët, dhe atje ta kryejnë detyrën e vetë kushtetuese”, tha Zenun Pajaziti.

Për Gëzim Kelmendin, kjo protestë nuk do të ketë as një ndryshim dhe lëkundje në zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, pasi që krejt kjo, varet nga partnerët e koalicionit qeveritar.

“Zgjedhja e Presidentit aktualisht është në duart e LDK-së dhe deputetëve të saj”, tha Kelmendi.