Vendi ku vdiq Xheneta Gashi - Foto: KALLXO.com

Thirrje për Protestë Masive në Prizren

Grupi Qytetarët Aktivë të Prizrenit u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të qytetit por edhe nga mbarë vendi që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për të mërkurën nga 10 organizata të shoqërisë civile.

Në këtë protestë do të kërkohet dorëheqja e kryetarit të Komunës, Ramadan Muja dhe e ministrave Kujtim Shala e Ferid Agani, të cilët OJQ-të i mbajnë përgjegjës për vdekjen më 6 qershor të trevjeçares Xheneta Gashi nga shembja e një objekti në Qendrën Historike të qytetit.

“Qeverisja nga persona me precedent penal, jokompetenca, korrupsioni, nepotizmi etj., i kanë shkaktuar dëme të mëdha Prizrenit dhe kanë ulur dukshëm besueshmërinë e qytetarëve ndaj institucioneve lokale, duke e bërë kështu pushtetin komunal jolegjitim”, theksojnë Qytetarët Aktivë.

“Dhe, ky degradim nuk është përcjellur asnjëherë me përgjegjësi nga zyrtarët lokalë dhe aq më pak nga institucionet qendrore. Madje, shumë nga rastet kriminale të zyrtarëve publikë kanë ngelur duke u zvarritur nëpër institucionet e drejtësisë për vite me radhë, përfshirë edhe procesin e kryetarit të dënuar, Ramadan Muja”, thuhet në një komunikatë të grupit.

Më tej, ata theksojnë se qytetit po i humbet çdo ditë e më shumë trashëgimia kulturore-historike, po i shemben objektet e vjetra dhe ajo që është më e rëndësishmja pas gjithë kësaj papërgjegjësie institucionale Prizreni pësoi një tragjedi me vdekjen  e vajzës 3-vjeçare Xheneta Gashi.

“Vdekja e një qytetareje si pasojë e mos-intervenimit të institucioneve është kufiri i cili nuk mund të tolerohet. Përgjegjësit e këtij krimi duhet të vihen sa më parë para drejtësisë. Qytetarët e Prizrenit dhe Kosovës janë të gjithë të kërcënuar nga ky lloj pushteti. Në vend të Xhenetës mund të ishte secili prej nesh. Ne s’mund ta tolerojmë edhe më gjatë një pushtet që përveç trashëgimisë vret edhe njerëz”, thuhet në komunikatë.

Qytetarët Aktivë të Prizrenin u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkëngjiten protestës qytetare të thirrur nga disa organizata të shoqërisë civile për të mërkurën më 15 qershor, nga ora 12:00, në sheshin “Shadërvan”, për të kërkuar llogari dhe dorëheqje të menjëhershme të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ministrit të Mjedisit, Ferid Agani, dhe ministrit të Kulturës, Kujtim Shala.

Edhe partia opozitare, Nisma për Kosovën, dega në Prizren, u ka bërë thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të saj që t’i bashkohen protestës të së mërkurës.

“Nëse një qeverisje nuk është e aftë të garantoj së paku nevojat themelore për qytetarët e vet, siç është siguria për të jetuar, atëherë konsiderojmë se ajo qeverisje është e kriminalizuar. E kur marrim për bazë tragjedinë e ditëve më parë që ndodhi në Prizren, nuk ka se si të rrihet indiferent karshi kësaj tragjedie, andaj reagimi dhe protesta qytetare duhet të jenë mëse të domosdoshme”, thuhet në një komunikatë të Nismës.

http://kallxo.com/ne-prizren-te-merkuren-kerkohet-doreheqja-e-mujes-2/

http://kallxo.com/faji-jetim-per-vdekjen-e-katervjecares-ne-prizren-2/