Driton Çaushi. Foto: Facebook

Thirret mbledhje urgjente e Komisionit për Arsim lidhur me ndërhyrjet politike në KShC

Partia Socialdemokrate e ka konsideruar si të papranueshme qasjen e kryeministrit, zëvendëskryeministri dhe të ministrit të arsimit, ndaj vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), për mosakreditimin e 3 universiteteve publike.

Driton Çaushi, deputet i PSD-së, në një konferencë për media tha që ndërhyrja është e rrezikshme, duke shtuar që pikërisht për këtë çështje do të mblidhet komisioni për arsim.

“Kemi pasur disa qëndrime të papranueshme e sulme në një institucion që gëzon mandat të dhënë nga Kuvendi i Kosovës dhe në të njëjtën kohë gëzon një pavarësi në funksionimin e tij, për shkak të kësaj ne si PSD kemi ftuar sot një mbledhje urgjente të komisionit për arsim në Kuvendin e Kosovës për të trajtuar këto zhvillime tepër shqetësuese”, tha ai.

Tutje ai theksoi se PSD-ja dënon një sjellje të tillë të figurave politike ndaj Këshillit Shtetërore të Cilësisë.

“Ne e dënojmë ndërhyrjen brutale të kryeministri, zëvendëskryeministri, dhe ministrit dhe figurave të tjera nga institucionet e larta publike ndaj një institucioni të pavarur dhe me autonomi të plotë”, theksoi ai.

Sipas tij arsyet e mos akreditimit, janë për shkak të mungesës së kualitetit në këto universiteti, ndërsa theksoi se reagimet e kryeministrit janë popullsitë.

“Këto arsye janë të bazuara në standardet e cilësisë, ndërsa motivet e kryeministrit dhe ministrave të tjerë janë absolutisht vetëm klienteliste dhe popullsite”, theksoi ai

Adea Batusha, anëtare e kryesisë së PSD-së, përmendi problemet që janë duke i shkaktuar Kosovës, ndërhyrjet politike që po bëhen në arsim.

“Ndërhyrjet e pakontrolluara po krijojnë probleme të shumta dhe vështirë të zgjidhshme, një ndër ndërhyrjet është vendimi për shkarkimin e bordit në vitin 2018, ndërkohë sot jemi në një situatë ku universitetet e hapura nuk po mund të i plotësojnë kriteret për të mbetur të tilla, ne besojmë që vendimi i KSHC-se është i duhuri”, tha ajo.

Kryeminstri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar dy herë ndaj vendimit të Këshillit Shtetëor të Cilësisë për të mos akredituar universitetet e Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit për një vit akademik.

Në herën e parë, kreu i ekzekutivit kishte thënë që ‘do të marrë hapa për këtë veprim të papranueshmë’,  ndërsa në herën e dytë kishte thënë që ‘nuk mund të lihen maturantet në rrugë’.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KShC) në mbledhjen e 74-të vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020.Me këto vendime, Universiteti Publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.