Foto: Ilustrim

Theret me Thikë një Person në Vushtrri

Një person është sulmuar me thikë  gjatë një rrahjeje e cila ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00 në Vushtrri.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka konfirmuar për KALLXO.com se si pasojë e rrahjes një person ka kërkuar ndihmë në spital për shkak të plagëve që ka marrë nga thika me të cilën është sulmuar.

“Rasti është ‘lëndim trupor’. Një person i cili në këtë rast dyshohet të jetë viktima sipas procedurave ka kërkuar ndihmë në spital pasi dyshohet se është sulmuar me thikë mirëpo konkret nuk ka ende asgjë”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Sipas Zahitit ngjarja ka ndodhur në afërsi të një lokali në Vushtrri dhe se Policia është në ndjekje të personave të dyshuar.

“Identiteti i të dyshuarve është i njohur për Policinë, mirëpo ata ende nuk janë arrestuar. Jemi në kërkim të tyre”, ka thënë Zahiti.

Arsyeja se pse ka ndodhur rrahja ende nuk është e njohur për Policinë.