Thellohet për 20% deficiti tregtar, bie eksporti i Kosovës drejt vendeve fqinje

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për tregtinë e jashtme, Kosova kishte deficit tregtar më të lartë për 20.2 për qind në muajin shtator 2018 në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, ose, përkthyer në euro, deficiti ishte në vlerë prej 257.3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 213.9 milionë eurosh në vitin 2017.

ASK njofton se eksporti u rrit për 7.6 për qind në shtator ndërsa importi 18.5 për qind.

“Eksporti i mallrave në muajin shtator 2018 kishte vlerën 36.6 milionë euro, ndërsa importi 293.9 milionë euro, që është një rritje prej 7.6% për eksport, dhe një rritje prej 18.5% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017”, tregojnë statistikat e Agjencisë.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 42.6 për qind i përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 11.3 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 9.5 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 9.4 për qind e përbëjnë produktet minerale, 9.0 për qind e përbëjnë produktet bimore, 2.8 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 2.4 për qind e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij.

Pjesën më të madhe të importit e përbejnë produktet minerale, metalet bazë dhe artikujt prej tyre.

“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.0% e përbëjnë produktet minerale, 13.0% metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 11.1% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 10.9% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 7.8% mjetet e transportit, 7.1% produktet e industrisë kimike, 6.3% plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 5.6% tekstili dhe artikujt prej tij etj.”, bën të ditur komunikata e ASK-së.

Shkëmbimi i mallrave me vendet e BE-së në shtator

Të dhënat e ASK-së tregojnë se eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 10.2 milionë euro, ose rreth 28.0 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 14.1 për qind.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania me 7.6 për qind, Holanda 3.4, Sllovenia 2.2, Danimarka 2.1 për qind, etj.

Importet prej vendeve të BE-së u rritën mbi 19 për qind, me partner kryesor – Gjermaninë.

“Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 124.0 milionë euro, ose 42.2% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 19.6%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.1%), Italia (5.9%), Spanja (3.7%), Greqia (3.4%), Sllovenia (2.9) etj.”, tregon komunikata.

Kosova vs vendet e CEFTA-s

Eksporti i Kosovës drejt vendeve të CEFTA-s pësoi rënie prej më shumë se 9 për qind. Partner kryesor për eksport mbetet Shqipëria.

“Në muajin shtator 2018, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 15.0 milionë euro, ose 41.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-9.8%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (17.0%), Maqedonia (11.2%), Serbia (6.9%), Mali i Zi (3.6%)”, njofton ASK.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shtator 2018 arritën në 82.2 milionë euro, ose 28.0 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10.2 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia 12.8 për qind, Shqipëria 6.7, Maqedonia 5.4 dhe Bosnjë e Hercegovina me 2.6 për qind.

Shkëmbimi tregtar i Kosovës me vendet e tjera të botës

ASK bën të ditur se eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën vlerën 11.3 milionë euro, ose 30.9 për qind.

Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India 21.2 për qind dhe Zvicra 5.8 për qind.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën vlerën 87.6 milionë euro, ose 29.8 për qind.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 9.5 për qind dhe Kina 9.5 për qind.