Thellohet Deficiti Tregtar i Kosovës

Të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit të mallrave apo të Tregtisë së Jashtme në Kosovë në vitin 2015 tregojnë për një deficit tregtar në vlerë prej 2.31 miliardë eurosh.  Pra, edhe në vitin 2015 bilanci tregtar ishte negativ.

Totali i eksporteve të Kosovës për vitin 2015 ishte 325 milionë euro, ndërsa importi ishte 2.64 miliardë euro. 12.3 për qind ishte vlera e eksporteve që mbuluan importin.

Krahasuar me tregtinë e mallrave për eksport të vitit 2014, pjesëmarrja e tyre mbetet pothuajse në nivel të njëjtë nga viti paraprak, por vetëm me një rritje vjetore prej 0.2 për qind.

Bilanci tregtar në Kosovë mesatarisht që nga viti 2003 deri në vitin 2015 ishte negativ prej 142.6 milionë eurosh. Gjatë gjithë kësaj periudhe, niveli më i lartë i deficitit tregtar prej 469.4 milionë euro ishte në janar të vitit 2003, ndërsa niveli më i ulët i këtij bilanci ishte në shtator të vitit 2012 me 234.9 milionë euro.

 

Bilanci tregtar 2003-2015
Bilanci tregtar 2003-2015

Kosova gjithnjë ka raportuar deficite të mëdha tregtare për shkak të një baze shumë të dobët të eksportit. Në vitin 2007, ky deficit kishte arritur 57 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB).

Kosova kryesisht eksporton metale, apo 47 për qind e totalit të eksporteve dhe produkte minerale me 30 për qind të eksporteve, ndërsa importet kryesore në vend janë produktet minerale, pajisjet dhe materialet elektrike, ushqimi i përgatitur, pijet dhe duhani.

Kosova në muajin prill 2016 është karakterizuar me një deficit prej 227.6 milionë eurosh krahasuar me vlerën prej 196.1 milionë euro që ishte në periudhën e njëjtë të vitit 2015 dhe eksporti ka mbuluar importin me 9.2 për qind.

Tregtia e jashtme me vendet e BE-së

Eksportet e Kosovës në 28 vendet e BE-së arritën në 106 milionë euro, ose rreth 32.6 për qind e eksporteve të përgjithshme, ku shënohet një rritje prej 8.1 për qind. Belgjika për vitin 2015 është vendi kryesor për eksportin e mallrave me vendet e BE-së me një pjesëmarrje prej 7.5 për qind, pasuar nga Italia me 6 për qind, Gjermania me 3.6 për qind, Holanda me 2.6 për qind dhe  Bullgaria me 2.1 për qind.

Kurse, importet e Kosovës nga këto vende ishin rreth 1.11 miliardë euro, ose 42.2 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje vjetore prej 2.9 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania me 11 për qind, Italia me 8.6 për qind, Greqia me 4.2 për qind, Bullgaria me 2.7 për qind dhe Polonia me 2.7 për qind.

Tregtia e jashtme me vendet e CEFTA-s

Gjatë vitit 2015, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 123.7 milionë euro, ose 38 për qind të eksporteve të përgjithshme, ku shënohet një rënie prej 2.7 për qind. Për këtë vit partner kryesor për eksport me vendet e CEFTA-s është Shqipëria me 12.4 për qind, e ndjekur nga Maqedonia me 10.3 për qind, Serbia me 9.9 për qind dhe Mali i Zi me 3.7 për qind.

Ndërkaq, importet nga vendet e CEFTA-s në vitin 2015 arritën në 769.3 milionë euro apo 29.2 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 6.8 për qind. Serbia vazhdon të ketë pjesëmarrje të lartë të importeve prej 14.5 për qind, pasuar nga Shqipëria me 5.8 për qind dhe Maqedonia 5.5 për qind.

Në një hulumtim të Aleancës Kosovare e Biznesit (AKB), prezantuar 10 vjet pasi Kosova u bë anëtare e këtij rrjeti shtetesh, u tha se brenda kësaj periudhe CEFTA ka krijuar një bilanc negativ tregtar dhe se bizneset e vendit janë ballafaquar gjatë gjithë kohës me një konkurrencë të ashpër, e në shumicën e rasteve kanë qenë të rrezikuara për mbijetesë për shkak të aplikimit të politikave jo të krahasueshme me vendet që e aplikojnë këtë marrëveshje.

http://kallxo.com/sherri-10-vjecar-nga-tregtia-e-lire

Sipas këtij hulumtimi, gjatë periudhës 2005-2015 vendi ynë ka importuar mbi 7.2 miliardë euro, apo 88.2 për qind të të gjithë bilancit tregtar, ndërsa eksporti ka arritur në 860 milionë euro.

Tregtia e jashtme me vendet tjera të botës

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës për vitin 2015 arritën në 95.4 milionë euro, ose 29.4 për qind të eksporteve të përgjithshme.

Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport janë India me 14.5 për qind, Zvicra me 3.6 për qind dhe Turqia me 2.8 për qind, kurse vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup janë Turqia me 9.6 për qind dhe Kina 8.8 për qind.

Importet e Kosovës për vitin 2015 me vendet e tjera të botës arritën në 752.4 milionë euro, apo 28.6 për qind të importeve të përgjithshme.

Parashikimet e bilancit tregtar

Sipas, Trading Economics, bazuar në modelet makroekonomike dhe analizën e pritjeve, vlerësimet janë se bilanci i tregtisë se jashtme në Kosovë pritet të arrijë në -205 milionë euro deri në fund tremujorit të dytë të vitit 2016.

Nga këto pritje del se bilanci tregtar prej -196.96 milionë euro do të arrijë në 12 muajt e ardhshëm. Në periudhë afatgjatë, ky bilanc është parashikuar të arrijë në -196.85 milionë euro deri në vitin 2020.

Bilanci tregtar-parashikimet
Bilanci tregtar-parashikimet