Thaçin e pret një “mal” me punë, ai del në mal

Në kohën kur do të duhej të ftonte liderët e partive për konsultime në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme pas dorëheqjes së kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi u është qepur maleve.

Këshilltari i presidentit të vendit, Ismail Syla, ka postuar gjatë ditës së sotme një fotografi ku shihet në shoqëri të presidentit të vendit, Hashim Thaçi në një shëtitje në mal.

“Duke shijuar bukuritë e natyrës sonë me miqtë e mi më të mirë”, është mbishkrimi i fotografisë së postuar nga Syla.

Në këtë foto është edhe këshilltari tjetër i presidentit, Bekim Çollaku.

Në fotografinë e postuar nga këshilltari i tij,  presidenti Thaçi nuk ka harruar ta bëjë as simbolin e partisë, nga e cila zyrtarisht është larguar për shkak të postit.

Gishti i madh i ngritur është simboli i PDK-së, parti të cilën Thaçi e ka drejtuar për shumë vjet.

Nëpër takime e fushata të ndryshme, zyrtarët e kësaj partie e bëjnë këtë simbol.

Presidenti i vendit, sipas Kushtetutës, pas zgjedhjes, nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike.