Foto: Zyra e Presidentit të Kosovës

Thaçi vazhdoi konsultimet me përfaqësues tjerë të komuniteteve joshumicë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka vazhduar konsultimet me partitë politike nga komunitetet jo shumicë, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj dy javë më parë, ndonëse, ende nuk i ka ftuar partnerët e koalicionit qeverisës.

Zyra Presidentit të Kosovës, ka bërë të ditur se Thaçi ka takuar deputetët nga Grupi Parlamentar 6+, Albert Kinollin, i cili është përfaqësues i komunitetit rom, Danush Ademin, përfaqësues i komunitetit ashkalinj dhe Veton Berishën, përfaqësues i komunitetit egjiptian.

Presidenti Thaçi citohet të ketë thënë se po shqyrtohen mundësitë që në konsultime me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme për nxjerrjen e vendit nga kjo situatë e re politike.

“Takimet e presidentit Thaçi me përfaqësuesit e partive politike do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Gjatë ditës së sotme, presidenti ka takuar kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka.

Pas këtij takimi, Thaçi ka thënë se është i gatshëm t’i shpallë zgjedhjet menjëherë.

“Nëse partitë politike nuk janë në gjendje t’i japin përgjigje këtij realiteti të ri politik në një afat të arsyeshëm kohor, jam i gatshëm t’i shpalli menjëherë zgjedhjet e reja”, ka thënë presidenti Thaçi, thuhej në komunikatën e Zyrës së Presidentit.

Ndërkaq, të martën presidenti Thaçi ka takuar përfaqësuesit e KDTP-së dhe ata të VAKAT nga grupi parlamentar 6+, ministrin në largim, Mahir Yagcilar dhe deputetët Duda Balje dhe Bahrim Sabani.

Në anën tjetër, për mos ftesën e presidentit akoma, ka reaguar LDK-ja.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka njoftuar se ende nuk kanë marrë ftesë nga presidenti Hashim Thaçi, për konsultime për të caktuar datën e zgjedhjeve.

Sipas Hotit, këto vonesa janë të pa arsyeshme, duke ditur se vendi nuk ka qeveri efektive.

“Koalicioni PAN nuk ka pasur legjitimitet tash e një vit për të qeverisur me Kosovën dhe nuk ka as tani për të propozuar një mandatar të ri. Ne do t’i përgjigjemi ftesës së Presidentit vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve. Asnjë temë tjetër nuk mund të diskutohen në këto konsultime”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Kurse, partitë politike ndonëse kanë paralajmëruar se do të mblidhen për shpërbërjen e Kuvendit, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.