Konferenca rajonale për luftën ndaj korrupsionit- KALLXO

Thaçi: UÇK ka pasur 12 apo 15 mijë ushtarë, numri i veteranëve dëmtoi buxhetin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë konferencës rajonale të organizuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, ka thënë se institucionet e vendit kanë bërë punë të mirë në luftën antikorrupsion. Por, sipas tij duhet bërë më shumë punë në luftimin e kësaj dukurie.

Sipas tij, Kosova ka shtuar progres sa i përket luftës së korrupsionit  dhe krimit të organizuar pasi që janë bërë hapa konkretë në sundimin e ligjit.

“Nuk është çështje specifike vetëm për Kosovën apo të rajonit, por fenomeni i korrupsionit është një sfidë globale. Përveç pasojave që shkakton në zhvillimet politike, poashtu shkakton pasoja edhe në rrafshin e sigurisë. Prania e korrupsionit është në të gjitha shtetet qoftë në ato të zhvilluara apo në zhvillim siç është Kosova. Të arriturat e Kosovës në luftën kundër korrupsioni janë evidente, janë bërë hapa konkretë në forcimin e sundimit të ligjit. Është rritur numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve, si dhe është rritur buxheti”, ka  thënë Thaçi.

“Duhet të punojmë së bashku që Kosova që anëtarësohet në Interpol që të krijojmë kushtet, edhe Kosovës që të ketë përgjegjësi të plotë në Interpol. Anëtarësimi do të sillte dobi për Kosovën dhe rajonin. Të gjithë do të ishim fitues nga anëtarësimi, dhe humbës do të ishin njerëzit e korrupsionit dhe krimi”, shtoi presidenti Thaçi.

Gjatë kësaj konference, kreu i shtetit ka bërë thirrje që të hetohen keqpërdorimet me listat e veteranëve, i cili e quajti si mashtrim i madh që ka dëmtuar buxhetin e shtetit.

“Nuk ka pasur më shumë se 12 apo 15 mijë ushtarë me uniformë. Të tjerët janë vetëm mashtrues. Këtij mashtrimi duhet t’i shkohet deri në fund, por vetëm përmes drejtësisë dhe jo me kërcënime”, ka thënë Thaçi.