Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të veriut | Foto: Presidenca

Thaçi të Dekretuarve: Mirëpres Gatishmërinë Tuaj për Integrim

Pas dekretimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të punojnë në veri Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se mirëpret integrimin e tyre në sistemin kosovar të drejtësisë.

“Mirëpres gatishmërinë tuaj për t’u integruar në gjyqësorin e Kosovës dhe për të punuar në përputhje me legjislacionin e Kosovës”, tha Thaçi, sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca.

Thaçi më pas u tha gjyqtarëve e prokurorëve që punën pret ta kryejnë me profesionalizëm.

“Po ashtu, mirëpres gatishmërinë e juaj se funksionin e gjyqtarit, respektivisht të prokurorit, do ta ushtroni me nder, përgjegjësi dhe paanshmëri, duke respektuar rregullat e etikës profesionale”, tha Thaçi.

Ai falënderoi edhe ndërkombëtarët për ndihmën.

“Në këtë rrugëtim kemi pasur mbështetje edhe nga miqtë tonë ndërkombëtarë, të cilët i falënderojmë”, tha Thaçi.

Sipas Presidencës dekretimi është hallka e fundit që i mungonte zbatimit të marrëveshjes për drejtësinë të 10 shkurtit 2015.

Gjyqtarët dhe prokurorët që do të punojnë në veri ishte dashur të betoheshin dhe dekretoheshin të martën e kaluar, por atat atë ditë nuk u paraqitën para Presidentit.

Thaçi para një jave akuzoi Serbinë për pengim të dekretimit, ndërsa BE-në për paaftësi të ndërmjetësimit.