Foto: ZPRK

Thaçi takohet me Mogherinin, bisedojnë për dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentit, në takim është biseduar për perspektivën europiane të Kosovës si dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Presidenti Thaçi ka ritheksuar domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron njohjen reciproke dhe i hap rrugë Kosovës për t’u bërë anëtare e NATO-së, BE-së dhe OKB-së”, thuhet në njoftim.

Presidenti i Kosovës sot gjatë ditës ka shkuar në Shqipëri për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Brdo- Brioneve.

Ai ka njoftuar se ka takuar në një takim të ndarë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Sipas Thaçit, me kryeministrin shqiptar diskutoi për heqjen e kufirit në mes Kosovës dhe Shqipërisë por edhe për korrigjimin e kufijve.

Në këtë takim do të marrin pjesë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe atij të Bosnjës, Milorad Dodik.

Kundër ardhjes së Dodikut dhe Vuçiqit është protestuar sot në Tiranë nën organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Qytetarët kanë protestuesit para monumentit të “Vëllezërve Frashëri”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nën motot  “Jo copëtim, duam bashkim”, “Shqipëria nuk harron, fashizmi nuk kalon”, “Vendi i Vuçiq-it është Haga, jo Tirana”. “Krimet në Kosovë, krime ndaj nesh”, e shumë të tjera.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje këta janë dy politikanë që kanë shprehur haptazi armiqësinë e tyre duke mohuar të drejtat e popullit shqiptar nga Lugina e Preshevës në Kosovë dhe më gjerë.

Policia Shqiptare ka penguar protestuesit të shkojnë në qendër të Tiranës.

https://kallxo.com/perfundon-protesta-e-vetevendosjes-kunder-vuciqit-dhe-dodikut-ne-tirane-foto/

.