Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi .rel

Thaçi shpalos edhe në Uashington idenë e tij për ‘korrigjimin’ e kufirit me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë një bashkëbisedimi në “Council on Foreign Relations” në Uashington DC, u pyet nga diplomati amerikan, James Pardew për çështjen e korrigjimit të kufirit, ide të cilën presidenti ka filluar ta përhapë që nga korriku i vitit të kaluar.

Siç njofton Presidenca e Kosovës, presidenti është përgjigjur se një nga pikat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë sigurisht do të jetë edhe përcaktimi i kufirit në mes të dy vendeve.

“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë”, citohet të ketë thënë Thaçi.

“Kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë”, shtoi presidenti në përgjigjen në pyetjen e diplomatit amerikan.

Thaçi me këtë rast tha se nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme.

“Por, pikat strategjike si Liqeni i Ujmanit, qyteti i tërë i Mitrovicës, Trepça, këto janë resurse të panegociueshme”, u shpreh presidenti Thaçi.

KALLXO.com ka raportuar sot se Bashkimi Europian po kërkon që çështja e Trepçës të vendoset në kuadër të marrëveshjes finale Kosovë- Serbi.

Pjesëmarrësit e tjerë kanë pyetur edhe për zhvillimin ekonomik dhe reformat në Kosovë, për të cilat presidenti Thaçi theksoi se janë storie të suksesshme, por se vazhdimi i suksesshëm i tyre varet nga krijimi i stabilitetit politik.