Foto: Komuna e Gjakovës

Thaçi Shpall Heronj Gjashtë Dëshmorë të Gjakovës

Me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, sot janë shpallur heronj gjashtë dëshmorë të kombit nga Komuna e Gjakovës.

Të gjashtit janë vrarë si pjesëtarë të UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Thaçi ka shpallur heronj Përmet Vulën, Elton Zherkën, Ilir Sobën, Sadedin Shehun, Bujar Rokën dhe Hamëz Zymberin, thuhet në një komunikatë të Komunës së Gjakovës.

Në emër të Presidentit Thaçi dekretet dhe pllakatet me titullin e heroit të kombit për familjet e të rënëve i ka ndarë këshilltari i tij Veli Bytyqi.

Në ceremoni ka marrë pjesë edhe kryetari i Gjakovës Ardian Gjini.

Gjini ndonëse e cilësoi të vonuar shpalljen heronj të këtyre dëshmorëve, sipas komunikatës së komunës, tha se ky është vendim që megjithatë mirëpritet si nga familjarët e dëshmorëve, bashkëluftëtarët e tyre ashtu edhe nga institucionet lokale.

“Me këtë akt, po bëhet vlerësimi real për kontributin që Gjakova dhe banorët e Gjakovës e kanë dhënë në luftën për liri”, tha Gjini.

Edhe Presidenti Thaçi njoftoi në facebook se shpalli heronj gjashtë djemtë gjakovarë të rënë në luftë.

“Me urdhrin ‘Hero i Kosovës’, për t’i nderuar veprat e tyre në shërbim të atdheut, dekorova dëshmorët Elton Zherka, Përmet Vula, Bujar Roka, Hamëz Zymeri, Ilir Soba dhe Sadedin Shehu nga Komuna e Gjakovës”, shkroi Thaçi.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!