Darka e Liderëve pas Samitit të Berlinit, Foto: Facebook

Thaçi: Samiti i Berlinit nuk dha ide të re as nuk mbylli të vjetrat

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ende nuk ka hequr dorë nga ideja e korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Një ditë pasi është kthyer nga Berlini ku mori pjesë në një samit për Ballkanin bashkë me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, dhe Presidentin e Francës, Emanuel Macron, kreu i shtetittë Kosovës tha se samiti nuk i ka vënë kapakun ndonjë ideje.

“Në samitin e Berlinit nuk ka dalë asnjë ide e re për marrëveshjen Kosovë- Serbi… Aty nuk është hapur asnjë ide e re, as nuk është mbyllur asnjë ide”, tha Thaçi.

Ai shtoi se synimi i palës kosovare është arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse “ku edhe Kosova edhe Serbia mbesin multietnike siç kanë qenë, nuk do të ketë vija kufitare në baza etnike”.

“Por natyrisht se në fund të marrëveshjes duhet të ndodh demarkimi i kufirit. Nuk ka vende sovrane që nuk e njohin kufirin e njëra-tjetrës… nuk mund të ketë paqe mes dy shteteve derisa nuk njihet kufiri ndërshtetëror”, tha Thaçi duke elaboruar më tej.

Ai tha se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të mos e cenojë sovranitetin e saj. “Kosova nuk do ta bëjë asnjë kompromis me Serbinë në këmbim të njohjes”, shtoi Thaçi.

Ndërkoihë ai foli edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe për të cilin tha se “duhet të themelohet në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

“Pretendimet apo ëndrrat e kujtdoqoftë që në veri të Kosovës mund të themelohet një Asociacion me kompetenca ekzekutive me model të Republika Srpskas nuk do të realizohen kurrë. Këtë ua kam thënë shumë qartë të gjithëve që kanë pasur lajthitje të ndryshme gjatë samitit, para samitit apo pretendojnë të kenë edhe tash. Ata emisarë nuk kanë pse të vijnë”, tha Thaçi.

“Nuk mund të ketë zgjidhje të modelit gjermano-gjermano apo të një sovraniteti të dyfishtë, gjithashtu e lajthitur nga interlokutorë të ndryshëm për mundësinë që të lëvizet në këtë drejtim”, shti ai.

Më herët, Thaçi tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë qoftë edhe pa një vendim të qeverisë për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë e Bosnjës.

Thaçi, në një konferencë për shtyp në Prishtinë, u shpreh se taksa tani më shumë po shihet si pengesë për Kosovën për ta marrë liberalizimin e vizave se sa si pengesë për dialogun, sado që është vendosur si kusht nga Beogradi për vazhdimin e procesit.

“Tani taksa më shumë lidhet me liberalizim të vizave se sa me dialogun. Dialogu do të vazhdojë, me ose pa (taksë)”, tha Thaçi.

Ai tha se Serbia, pavarësisht qasjes armiqësore ndaj Kosovës, ka ecur e papenguar në rugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Në një konferencë për shtyp në Prishtinë, një ditë pasi është kthyer nga samiti i Berlinit, Thaçi tha se Kosova mbetet e izoluar për shkak të bllokadave të cilat, sipas tij, po i bëhen Kosovës për shkak të pesë vendeve mosnjohëse në Bashkimin Evropian.

“Sjellja armiqësore dhe antievropiane e Serbisë nuk e ka paneguar rrugën e saj drejt integrimeve evropiane”, tha Thaçi.

“Kjo situatë ka krijuar një rrethanë jo të volitshme për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE dhe kjo situatë ka sjellë zhagitje në integrimin evropian të Kosovës”, shtoi ai.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë janë vazhdimisht të acaruara”, tha Thaçi.

“Dialogu i filluar në vitin 2011, përkundër disa rezultateve, tani është i bllokuar nga Serbia për shkak të kushtëzimeve. Kushtëzimi nuk guxon të ndodhë nga asnjëra palë”, tha ai.