Thaçi premton se do ta vazhdojë raportimin për deportimin e 'gylenistëve', deputeti i druhet moskthimit të tij

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kërkoi që të shkojë në pauzë mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018.

Presidenti shtoi se në orën 15:00 këtë pasdite do të kthehet për raportim në komision.

“Nëse ka mirëkuptim e bëjmë një pauzë  prej gjysmë orë për dy angazhime që i kam. Sepse kam obligime telefonike. Kam me shku edhe në një akademi. Kthehemi në ora 15:00, deri në mëngjes vazhdojmë”, tha kryetari i shtetit.

Pas kësaj kërkese reagoi anëtari i Komisionit nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj.

“Për telefonata mund të kemi mirëkuptim, por mes akademisë dhe sigurisë kombëtare, siguria kombëtare është mbi akademinë. Për telefonatën, mund të dilni, po ju presim”, u shpreh ai.

Kurse, Presidenti tha se në ora 2 ka telefonatë, ndërkaq Selmanaj  shfaqi frikën e tij se Presidenti më nuk do të paraqitet para tyre.

“E kam përshtypjen që është hera e fundit dhe nuk të shoh këtu më”, tha deputeti.

Ndërsa, Thaçi ripërsëriti se do të kthehet për raportim në orën 15:00.

“Në ora 3:00 këtu më ki valla, veç ju mos e lëshoni”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më shumë bëri pyetje sesa që u përgjigj në pjesën e parë, para pauzës para Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq një vit më parë.

Para kësaj here Thaçi katër herë radhazi nuk kishte shkuar për t’u intervistuar në komision.

Njëra ishte para tre ditësh, ku Thaçi për herë të parë kishte kërkuar që ta shtyjnë atë për sot.

Ndërsa herëve të tjera anëtarët e komisionit arsyet e mos shkuarjes së tij për intervistim në komision i merrnin përmes medieve.