Thaçi përgëzon fitoren kundër AXOS-it në arbitrazh

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar fitoren e shtetit të Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit kundër kompanisë AXOS.

Dje është bërë e ditur se Republika e Kosovës e ka fituar tërësisht betejën ligjore në Arbitrazh kundër kompanisë “Axos GMBH”, e cila kërkonte dëmshpërblim qindra miliona euro nga Republika e Kosovës për anulimin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Thaçi tha se kjo fitore është dëshmi që insititucionet mbrojnë të drejtat shtetërore.

“E uroj ekipin e ekspertëve për punën profesionale dhe mbrojtjen që i ka bërë Kosovës. Si shtet i pavarur dhe sovran jemi pjesë e Arbitrazhit, sepse besojmë në këtë institucion dhe në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare. Kemi ndërtuar kapacitete për të tërhequr investime të huaja, mirëpo edhe për t’i mbrojtur interesat e shtetit tonë nga pretendimet e paqëndrueshme”, shkroi Thaçi në Facebook.

KALLXO.com dje kishte raportuar lidhur me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit.

http://kallxo.com/avokati-berisha-kosova-fiton-ne-arbitrazh-betejen-me-axos-gmbh/