Thaçi përçan deputetët e Komisionit Hetimor për gylenistët

Anëtarët e Komisionit Hetimor për dëbimin e 6 shtetasve turq janë përfshirë në polemika gjatë raportimit të Presidentit Hashim Thaçi për këtë çështje.

Anëtarët u përfshinë në akuza lidhur me raportin e ekspertit ndërkombëtar për 31 shkeljet që u bën në rastin e dëbimit të ‘gylenistëve’.

Krejt kjo erdhi pasi Presidenti kërkoi të dijë se kush është eksperti ndërkombëtar.

Anëtari i Komisionit, Sami Kurteshi (LVV), tha se presidenti Thaçi, po bën skenar për prishjen e mbledhjes së Komisionit Parlamentar.

“Skenari për prishjen e mbledhjes së komisionit parlamentar po shihet hapur nga ana e presidentit, krejt çështjet ligjore çka të keni nxirrni në letër qitni, asnjë drejtë nuk keni me këtë çka po bëni, na e kemi një komsion parlamentar që e ka kriju kuvendi. Çka të keni vërejtje ajo i ndihmon punës, eskperti është Tienmu Ma, që ka punu te avokati i popullit është doktrorant i universitetit të Jelit, Oxford dhe Lucernit në filozofi juridike, dhe është ndër më të përgatiturit, punon ende te avokati i popullit”, tha ai.

Ai ka shtuar se ky ekspert ka hartuar edhe raporte të tjera të përgatitura mirë.

Ndërkaq, anëtari nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa e akuzoi Kurteshin për angazhimin e ekspertit ndërkombëtar.

“Bëhu i sinqertë Sami. Mos fol pallavra. Bëhu serioz, merru me çështje tua. Je tregu shumë i paaftë dhe shumë mashtrues”, tha ai.

Kurse Kurteshi shtoi se Beqa është duke gënjyer para 40 personave në këtë mbledhje.

Para kësaj here Thaçi katër herë radhazi nuk kishte shkuar për t’u intervistuar në komision. Njëra ishte para tre ditësh, ku Thaçi për herë të parë kishte kërkuar që ta shtyjnë atë për sot.

Ndërsa herave të tjera anëtarët e komisionit arsyet e mos shkuarjes së tij për intervistim në komision i merrnin përmes mediave.