Thaçi për Ekipin negociator: Kur ka pasur debate shterpe, ata kanë marrë përgjegjësi shtetërore

Pasi Gjykata Kushtetuese e ka shpallur anti- kushtetues Ekipin Negociator për dialogun me Serbinë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se askush i vetëm nuk mund të marrë barrën e zgjidhjes së një konflikti shekullor me Serbinë.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është udhërrëfyesi ynë në çdo hap drejt forcimit të shtetësisë sonë dhe drejt integrimit euroatlantik të shtetit tonë. Por, askush i vetëm nuk mund ta marrë barrën e zgjidhjes së një konflikti shekullor me Serbinë, prandaj gjithmonë kam apeluar për unitet politik në këtë proces shumë të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët tanë”, ka shkruar Thapi në Facebook. 

Thaçi ka deklaruar se e vlerëson shumë vullnetin politik dhe përgjegjshmërinë individuale të kryesuesve të Ekipit Negociator.

“Të cilët kur Kosova ka vluar nga debatet shterpe politike, kanë qenë në gjendje të dalin përtej tyre dhe të marrin përgjegjësi shtetërore”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin politik, udhëheqësit e institucioneve, liderët politikë të të gjitha subjekteve, duhet të jenë të bashkuar në procesin e dialogut për arritjen e marrëveshjes paqësore, e cila hap perspektiven e integrimit të Kosovës dhe i jep fund izolimit dhe stagnimit. 

Po ashtu Thaçi ka thënë se është obligim që të zgjidhet problemi me Serbinë që gjeneratat e reja të mos rriten me urrejtje ndëretnike.

“E kemi fituar luftën dhe duhet ta fitojmë edhe paqen për qytetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në shoqërinë tonë shumetnike”, ka përfunduar Thaçi.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka aprovuar kërkesën e parashtruar nga 32 deputetë të Kuvendit të Kosovës për të vlerësuar kushtetutshmërinë e detyrave, përgjegjësive dhe kompetencave të delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë.

Kushtetuesja ka gjetur se të paktën 5 nene të ligjit që rregullon kompetencat e këtij dialogu janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

https://kallxo.com/gjykata-kushtetuese-ekipi-negociator-i-shpend-ahmetit-e-fatmir-limajt-anti-kushtetues/

.