Thaçi për autostradën: Po përurohet një investim që ia ka vlejtur

Në ceremoninë inauguruese të autostradës Prishtinë- Han i Elezit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se sot është një ditë e veçantë, për Kosovën dhe gjithë rajonin.

Ai ka deklaruar se sot po përurohet një projekt i madh dhe një investim që ia ka vlejtur.

“Nëse dje kemi ëndërruar një Kosovë të tillë, sot e kemi realitet. Kjo është Kosova e re, moderne e evropiane. Urime të gjithëve.”, ka thënë presidenti Thaçi.

Pas një pune të gjatë prej disa vitesh, sot u përurua autostrada Prishtinë – Elez Han “Arbën Xhaferi”, e cila i ka kushtuar buxhetit të të vendit rreth 700 milionë euro.

Në hapje po marrin pjesë krerët e shtetit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli janë të pranishëm në ceremoninë inauguruese.

Hapja e Autostradës Prishtinë-Shkup po bëhet me pesë muaj vonesë, pasi një gjë e tillë ishte e planifikuar të bëhej më 31 dhjetor të vitit 2018, mirëpo kjo nuk ndodhi.

Për këtë autostradë, nga buxheti i shtetit i janë paguar 53 milionë euro më shumë kompanisë punëkryese Bechtel & Enka.

Lidhur me punët që i kanë kryer disa kompani vendore kanë protestuar para kampit të Bechtel – Enka-s në Ferizaj, për moskryerjen e pagesave për punët që sipas tyre i kane kryer për Bechtel – Enka-n.

Ndërkohë, Qeveria të martën (28.05.2019) ka vendosur për investime shtesë, pasi pritet të ndërtohen edhe dy kyçje të reja në këtë autostradë, një në Ferizaj dhe një në Viti, dy kyçje këto që ende nuk është bërë publike sa do kushtojnë.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dy ditë më parë i ka obliguar gjithë stafin e Ministrisë që të jenë prezent në ceremoninë e përurimit të kësaj autostrade.

Autoudhën “Arbën Xhaferi” në vitin 2014 e filloi ministri Fehmi Mujota i PDK-së, i cili nënshkroi kontratën me “Bechtel & Enka”, e vazhdoi ministri i LDK-së, Lutfi Zharku e po e përfundon sot, ministri nga AAK, Pal Lekaj.

Autostrada e re është e gjatë 65 kilometra, ndërsa ajo ka edhe urën më të gjatë në rajon, me 5 mijë e 700 metra dhe lartësi prej 83 metra.

Kjo rrugë lidhë shtetin e Kosovës me atë të Maqedonisë Veriore.