Thaçi: Pa kompromis s`ka njohje nga Serbia

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media ka ripërsëritur se duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi tha se marrëveshja  në mes palëve mund të arrihet vetëm nëse bëhet kompromis. Sipas tij, për të realizuar këtë qëllim, kjo mund të vetëm përmes korrigjimit të kufirit.

“Jam sot këtu t`i bëjë ftesë gjithë skenës politike, gjithë shoqërisë civile mediave që të punojmë bashkë me një qëllim që brenda një periudhe të shkurt kohore të përmbyllim procesin e bisedimeve mes shtetit të Kosovës e Serbisë duke krijuar kushtet mundësitë dhe rrethanat për nënshkrimin e marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve Kosovë Serbi”, tha ai.

Ai tha se marrëveshja Kosovë-Serbi do të hapte perspektivën evropiane për Kosovën.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm që këto qëllime nuk mund t’i arrijmë pa perspektivën e fqinjësisë së mirë. BE-ja është duke u modernizuar dhe reformuar, dyert janë të hapura për zgjerim, mirëpo paraprakisht shtetet duhet të zgjidhin problemet e tyre të hapura. Si kusht i domosdoshëm për anëtarësim në BE mbetet ndërtimi i fqinjësisë së mirë”, ka thënë presidenti Thaçi në konferencën e radhës për media.

Presidenti Thaçi, ka deklaruar se marrëveshja mund te arrihet vetëm nëse palët bëjnë kompromis.

“Për fat të keq me gjithë përpjekjet e BE-së dhe SHBA-ve që ta bindin Serbinë ta njohë Kosovën, kjo nuk po ndodhë. Madje nuk po ndodh as heqja e vetos ruse nga Këshilli i Sigurimit nuk mund të ndodhë pa marrëveshje reciproke”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se OKB nuk do të vendos sanksione Serbisë për ta detyruar që ta njohë shtetin e Kosovës.