Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Thaçi Optimist për Anëtarësim të Kosovës në OKB

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për televizion publik të Japonisë, “NHK”, dhe gazetën më të madhe, “Mainichi”, ka folur për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në këto dy intervista, Thaçi ka treguar për shtetndërtimin, zhvillimin ekonomik, aspiratën për t’u bërë vend anëtar i NATO-së dhe BE-së.

Presidenti, për dy mediumet më të rëndësishme në Japoni, ka folur edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për të përditshmen japoneze “Mainichi”, ai tha se në këto dhjetë vjet, Kosova ka arritur të sigurojë shumë njohje dhe anëtarësim në shumë organizata ndërkombëtare.

“Në këto dhjetë vjet kanë ndodhur ndryshime historike”, ka shtuar ai.

Thaçi tha se Kosova në dekadën e pavarësisë ka arritur që të ketë rritje ekonomike katër për qind.

Sipas tij, është arritur që të përmirësohet rritja e punësimit dhe mirëqenies sociale.

Presidenti theksoi se Kosova aspiron që sa më shpejt të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s.

Duke folur për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Thaçi për televizion publik të Japonisë, “NHK”, tha se beson që gjatë këtij viti do të arrihet një marrëveshje historike ndërmjet dy shteteve.

“Por, do të ndërtojmë, do të arrijmë marrëveshjen historike, si dy vende sovrane, për paqe, stabilitet, normalitet dhe pajtim e bashkëpunim”, ka shtuar Thaçi për “NHK”.

Ndërsa, për gazetën e përditshme, “Mainichi”, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do t’i mundësojë Kosovës anëtarësim në Kombet e Bashkuara.