Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi: Nëse sivjet nuk bëjmë marrëveshje me Serbinë, hyjmë në zonë të rrezikshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ka ardhur koha që të lihen prapa vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës nga lufta e fundit e të synohet një marrëveshje me shtetin e Serbisë.

“U bënë 20 vjet nga përfundimi i luftës, Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshje e cila përbën fqinjësi të mirë. Tani unë besoj fuqishëm se ka ardhur kohën që të lëmë prapa tragjedinë dhe të arrijmë marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi në një tryezë rreth dialogut Kosovë- Serbi të organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit.

Sipas Presidentit të vendit, tani Kosova ka edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që në dialogun me Serbinë të kenë njohje nga shteti serb. Sipas tij, nuk mund të kemi garanci më të madhe se kjo që kemi tani nga ShBA.

“Kemi kërkuar që ShBA të ketë një rol vendimtar në raport me dialogun me Serbinë. Tani e kemi e kemi një përkrahje nga ShBA, e konfirmoi edhe letra nga presidenti Trump. Të gjithë e kemi një mendim të përbashkët, njohja reciproke është çelësi që të kalojmë armiqësitë e përhershme. ShBA ka dhënë garanci se kjo marrëveshje historike nënkupton edhe njohjen reciproke në mes dy vendeve. Ne nuk mund të kemi garanci më të madhe se kjo që kemi tani nga ShBA”, ka thënë tutje Thaci.

Ai ka paralajmëruar edhe një herë se bisedimet me Serinë në Bruksel nuk do të jenë të lehta, ndërsa ka thënë se nëse nuk arrihet një marrëveshje me Serbinë, mund të përbëj rrezik edhe për rajonin.

“Njohja pa kushtëzime do të ishte më mirë, por në politikë, në Bruksel na presin bisedime jo të lehta me Serbinë. Ne duhet të kemi të qartë, njohjen reciproke. Në 12 muajt e fundit ka regres në raportet me Serbinë. Nëse këtë vit nuk bëjmë marrëveshje, do hyjmë në një zonë të rrezikshme, mund të destabilizohet edhe rajoni”, përfundoi ai.