Hashim Thaçi, President i Kosovës

Thaçi: Nëse nuk pezullohet taksa ndaj Serbisë nuk do të ketë liberalizim të vizave

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se nuk ka pasur përplasje mes tij dhe kryeministrit Haradinaj në lidhje me taksën ndaj Serbisë.

“Në raport me taksën nuk kemi pasur në asnjë rrethanë. Partnerët e koalicionit duhet të diskutojnë duke pasur parasysh që e ardhmja e Kosovës është e lidhur ngushtë me ShBA-në. Mik mund të jesh kur i respekton këshillat, nuk e mohoj amerikanizmin e liderëve por në të njëjtën kohë respekti duhet të jetë i ndërsjellë dhe jo i njëanshëm”, është shprehur Thaçi në RTK.

Thaçi ka thënë se ai ka rekomanduar që të ndodhë pezullimi i përkohshëm i taksës ndaj mallrave serbe.

“Unë kam shprehur këshillën time por edhe rekomandimin që të ndodhë një pezullim të përkohshëm”, ka thënë ai.

Më tej Thaçi ka folur edhe për sanksionet që mund të ndërmerren nga ShBA-ja dhe BE-ja kundrejt Kosovës nëse nuk pezullohet taksa.

Ai ka thënë se në këtë rast nuk do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës nga BE-ja.

“Mund të kemi masa që do të ndërmerren nga ShBA dhe BE dhe këto masa nuk i meritojnë qytetarët e Kosovës. Nga BE nuk do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës dhe do të ketë masa që do të jenë shqetësuese për qytetarët e Kosovës edhe pse nuk po dua t’i dramatizoj”, është shprehur Thaçi.

https://kallxo.com/thaci-ben-thirrje-per-pezullim-te-takses/

www.kallxo.com