Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi ndryshon qëndrim, taksa ndaj Serbisë është legjitime dhe do të vazhdojë

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se taksa prej 100 për qind e vendosur nga autoritetet kosovare ndaj mallrave serbe dhe boshnjake është legjitime dhe se ajo do të mbetet.

Këtë deklaratë presidenti e dha para mediave në Berlin pas një takimi që ka zhvilluar me shefen e diplomacisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini.

Po ashtu, presidenti Thaçi paralajmëroi se nëse Serbia do të vazhdojë me qëndrimin e saj karshi Kosovës atëherë do të përballet me masa edhe më të rënda të reciprocitetit.

Në këtë mënyrë, duket se presidenti Thaçi ka ndryshuar qëndrim ndaj taksës së vendosur kundër Serbisë, duke pasur parasysh trysninë që ushtronte ndaj kryeministrit Haradinaj për heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, me arsyetimin se kështu po kërkonin miqtë e vendit, sidomos Administrata e presidentit Donald Trump.