Thaçi: Ndëshkimi i gjenocidit serb është zero

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në fjalën e tij në tubimin në 20-vjetorin e Masakrës së Mejës, deklaroi se Serbia ende nuk është ndëshkuar për gjenocidin në Kosovë.

“Sot shënojmë ditën e të pagjeturve, kaluan 20 vite dhe pasojat e luftës nga shteti i Serbisë janë të freskëta. Një gjë është e qartë, Serbia kreu spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë. Për fat të keq duhet të themi botërisht as nga drejtësia lokale as ndërkombëtare nuk u ndëshkua. Ndëshkimi i gjenocidit serb është zero. Qytetarët e duan drejtësinë. Fati i të pagjeturve duhet të zbardhet pavarësisht etnisë”, deklaroi Thaçi.

Kreu i shtetit tha se të gjithë kishin shpresuar që në dialogun e Brukselit çështja e të pagjeturve do të ishte pika e parë, por Serbia e ka kushtëzuar këtë proces.

“Kishin shpresuar qe në dialogun e Brukselit çështja e të pagjeturve do te ishte pika e parë, po Serbia e ka kushtëzuar këtë proces, e Kosova nuk do të pranojë kushtëzime as në takimin e Berlinit. Prezenca e ambasadorit amerikan lehtëson dhembjet për familjet e të pagjeturve”, tha ai.

Thaçi falënderoi SHBA-të për mbështetjen ndaj Kosovës duke shtuar se do të jemi çdo herë mirënjohëse.