Thaçi: Myslimanët Janë Viktimat më të Mëdha të Terrorizmit

Sulmet e fundit terroriste të para dy ditëve në Stamboll nuk kishte se si të mos përmendeshin në një iftar që kreu i shtetit, Hashim Thaçi, shtroi për drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Në këtë darkë, Presidenti Thaçi u shpreh se myslimanët janë viktimat më të mëdha të sulmeve terroriste.

Pasi mysafirët e Presidentit u akomoduan në tavolina, Thaçi mori fjalën pak para se ezani të kumbonte për t’u dhënë sinjalin atyre që agjërojnë se edhe një ditë Ramazani mori fund.

Thaçi tha se në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit nevojitet dhembshuri për të gjithë myslimanët kudo që janë.

“Në këto ditë të muajit të shenjtë është me rëndësi që të shprehim gjithashtu dhembshuri për ata myslimanë të cilët gjenden në gjendje të rëndë në zona të prekura nga lufta si Siria e Iraku”, tha Thaçi

Ai shtoi se sulmi i cili ndodhi në Stamboll ka tronditur edhe Kosovën dhe se terrorizmi sipas presidentit nuk njeh përkatësi fetare apo etnike.

“Lutjet tona do të shkojnë edhe për familjarët dhe të afërmit e viktimave të terrorizmit të fundit duke  Iu drejtuar veçanërisht popullit turk, mbështetjen tonë morale në tragjedinë me të cilën është ballafaquar. Ngjarja dramatike në aeroportin e Stambollit tregon edhe njëherë që terrorizmi nuk njeh përkatësinë fetare apo etnike dhe se myslimanët janë viktima më të shumta nga ky fenomen jonjerëzor”, tha Thaçi.

Ndërsa kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërnava, tha se gjatë këtij muaji 15 mijë familje nevojtare janë ndihmuar nga njerëz të ndryshëm.

“Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata vëllezër e motra të cilët përmes Bashkësisë Islame ndihmuan nevojtarët që tashmë kanë arritur që mbi 15 mijë familje të ndihmuara gjatë këtij muaji të shenjtë të Ramazanit”, tha Tërnava.

Ai shtoi se Bashkësia Islame e Kosovës e gjykon terrorin i cili ndodhi në Stamboll dhe se solidarizohen me familjet e viktimave që humbën jetën.

“Edhe Bashkësia Islame e Kosovës atë që ndodhi në aeroportin e Stambollit, për atë që ka ndodhur fatkeqësisht edhe më herët nëpër vende të ndryshme të botës e ka gjykuar dhe gjykon nga thellësia e shpirtit dhe solidarizohet me familjet e atyre viktimave atyre njerëz të pafajshëm të cilët pësuan nga kriminelët nga terrori i cili fatkeqësisht në emër të fesë po ndodh nëpër vende të ndryshme të botës”, shtoi ai.