Foto: KALLXO.com

Thaçi: MSA Mundësi dhe Sfidë për Bizneset e Kosovës

Gjatë vizitës që i ka bërë kompanisë për prodhimin dhe përpunimin e qumështit “Euro Lona”, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) ka hapur mundësi të mëdha për biznesin vendor.

Por, sipas tij, MSA përcillet edhe me sfidën e konkurrencës.

“Në veçanti tash pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit është hapur mundësia shumë e mirë për biznesin dhe prodhimin vendor. Natyrisht pas nënshkrimit të MSA-së janë hapur mundësi shumë të mëdha, por kjo përcillet dhe me sfida në të njëjtën kohë të rëndësishme e sfida më e madhe është konkurrenca”, tha presidenti, duke shtuar se nga ajo që ka parë në‘EuroLona’, shihet se kjo sfidë do të tejkalohet, pasi që, sipas tij, “cilësia është e standardit evropian”.

Presidenti Thaçi garantoi se në të ardhmen do ta afirmojë biznesin e Kosovës me qëllim që produktet vendore të jenë pjesë meritore e konkurrencës evropiane.

“Sot si President i vendit vetëm mund të afirmoj këtë biznes dhe bizneset e tjera në Kosovë. Ne do të jemi pranë këtyre njerëzve punëtorë edhe në të ardhmen që të krijoj kushte më të mira për prodhimin vendor edhe për rritjen e numrin të punëtorëve, gjithashtu të bëhemi pjesë e tregut evropian, pjesë meritore e konkurrencës dhe e cilësisë”, tha Thaçi.

Kurse, Milazim Berisha, pronari i kompanisë ‘EuroLona’ tha se duhet të punohet në eliminimin e barrierave dhe pikave që na pengojnë për eksport në vendet e BE-së.

“Tani pas nënshkrimit të MSA-së ne si prodhues por edhe institucioneve tona përveç punës së përditshme që kemi dhe obligime të përditshme shtesë në përgjithësi, ku ne duhet të investojmë në eliminimin e pikave kritike dhe barrierat të cilat neve na pengojnë që të eksportojmë produktet tona në tregjet tanimë të mundësuara në BE”, tha Berisha.

Ai këtë takim e cilësoi si inkurajim që në të ardhmen të punohet edhe më shumë për t’i arritur synimet e biznesit.

“Mendoj që bashkëpunimi në mes institucioneve dhe prodhueseve vendorë duhet të rritet, duke i marrë parasysh nevojat që i kemi tani për eliminimin e këtyre barrierave. Vizita e sotshme është një ndër ato pika të cilat janë të nevojshme që të bëhen në të ardhmen. Mendoj që përkrahja e institucioneve nuk do të mungojë dhe bashkërisht do të arrijmë që t’i eliminojmë barrierat që i kemi”, tha Berisha.

Ndërsa ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, tha se sektori i qumështit do të ketë mbështetjen e vazhdueshme dhe se sipas tij rreth 25 për qind e të gjitha fondeve të ministrisë në tetë vitet e fundit janë investuar për ta konsoliduar këtë sektor.

“Sektori i qumështit është sektori më i rëndësishëm në bujqësi dhe në blegtori dhe është sektori që ka pasur mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve vendore, por edhe të donatorëve ndërkombëtarë dhe rreth 25 për qind e të gjitha fondeve tona janë investuar në tetë vitet e fundit për ta konsoliduar sektorin e qumështit”, theksoi ministri Krasniqi.