Foto: ZPRK

Thaçi: Mos na e kushtëzoni liberalizimin me heqje të tarifës apo asociacion

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot këshilltarët diplomatikë të presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel.

Presidenti Thaçi mirëpriti angazhimin francezo-gjermanë për takimin në Paris, në mes të përfaqësuesve të shtetit të Kosovës dhe të shtetit të Serbisë, si dhe përpjekjet e presidentit Macron dhe kancelares Merkel për të ndihmuar rifillimin e procesit të dialogut nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian.

Thaçi potencoi se “dialogu duhet të vazhdojë pa kushtëzime dhe se tarifat duhet të mbeten në fuqi”.

“Kosova nuk do të pranojë kritere tjera për liberalizimin e vizave, sidomos jo në formë të kërkesave për tarifat apo asociacionin”, është shprehur presidenti Thaçi.

Thaçi kërkoi që qytetarët e Kosovës të mos mbahen të izoluar padrejtësisht dhe të mos trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.

Në fund, presidenti Thaçi u shpreh se Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun që duhet të përfundojë me marrëveshjen paqësore gjithëpërfshirëse, e cila do të sjellë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Pas Samitit të Berlinit që u mbajt më 29 prill në Gjermani, një i tillë do të mbahet në Paris të Francës, më 1 korrik. Në fokus të këtij takimi pritet të jenë raportet dhe dialogu Kosovë-Serbi.

‘Betejë’ në Berlin për kufijtë e Kosovës

.