Hashim Thaçi | Foto: KALLXO.com

Thaçi mirëpret platformën për dialogun me Serbinë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka mirëpritur platformën për dialog ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të prezantuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai tha se konsensusi politik dhe uniteti qytetar janë veprime esenciale për të ardhmen e Kosovës.

Sipas tij, platforma politike është inkurajuese, ndërsa në të përfshihen pika të rëndësishme të agjendës shtetërore.

Thaçi përshëndeti edhe nismën e sotme të LDK-së për tryezën politike.

“Në kontekst të këtyre iniciativave përshëndes tryezën e sotme politike të thirrur nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa”, tha ai në profilin e tij zyrtar në facebook.

Presidenti Thaçi tha se takimi i sotëm i partive politike është inkurajues për të përafruar qëndrimet dhe për ta institucionalizuar agjendën shtetërore.

“Konsensusi i gjerë politik është garancia ma e mirë për të përmbushur agjendën shtetërore, e cila si synim ka arritjen e objektivave euroatlantike të Kosovës”, përfundoi ai.

Sot e thirrur nga LDK-ja, tryeza e partive politike po zhvillohet me dyer të mbyllura.